Trajneri italian shqiptarëve: Nuk qenkeni të varfër…

Futboll

Trajneri italian shqiptarëve: Nuk qenkeni të varfër…

Më: 18 prill 2019 Në ora: 14:27
Trajneri italian shqiptarëve: Nuk qenkeni të varfër…

Xhani De Biazi, Kristian Panuçi dhe Edi Reja, janë treshja në dekadën e fundit, të konsideruar si trajneri që na shkroi historinë, ai që na çoi në fund dhe një tjetër me shumë pritshmëri. Ky i fundit, duket që është një “stekë e vjetër”. Babaxhan, me batuta, i drejtpërdrejtë me mediat dhe shumë komunikues. Mbase ka marrë këshillat e fundit para kontaktit në vendin tonë, por me sa duket më të vlefshmet kanë qenë nga Xhani de Biazi, i cili e ka përcjellë nga Italia me njohuritë e duhura të sjelljes me mediat apo edhe të leximit të situatës së Kombëtares. Në prezantimin e djeshëm, Edi Reja ishte plot humor, si me presidentin edhe me mediat.

Sapo përfundoi fjalën e tij hyrëse, presidenti Duka ndali pyetjet e gazetarëve për të bërë më parë ceremoninë e firmave në kontratë. Moment, të cilin vetë trajneri Reja e komentoi me një lloj batute. “Ah, po, në fakt duhet që më parë të firmoset dakordësia që të bëhet edhe zyrtarizimi (qesh…).

Në momentin që ai dhe Duka kishin përballë dy blloqe që nënkuptonin kontratat, Reja e pyet Dukën: “Duhet që të firmos apo duhet të shtirem?” Gjë e cila tregon edhe faktin se italiani, sapo mbërriti në federatë, nënshkroi në fillim kontratën e tij dhe më pas doli edhe në konferencën zyrtare. Por, më pas edhe ai edhe presidenti Duka, e bënë përpara mediave ceremoninë e firmave duke nënshkruar kontratat e reja.

Ishte kreu i FSHF-së, Duka, i cili pas shtrëngimit të duarve në fund të konferencës uron trajnerin e ri: “Urime! Urime!” dhe si përgjigje ishte falënderimi i Edi Rejas. “Urime pikësëpari ty, jo mua. Urime dhe punë të mbarë”.

Një koktej ishte përgatitur për konferencën e djeshme dhe pas prezantimit, pati vend për një trokitje gotash me presidentin, por edhe me gazetarët. Reja ishte i hapur për biseda, por nuk ngurroi të ngacmonte kreun e FSHF-së: “Më thanë që Shqipëria është vend i varfër dhe federata me mundësi të kufizuara financiare, por duke parë gostitë, nuk qenka dhe aq jo (qesh…). situatë që duket se e gjeti disi të papërgatitur presidentin e FSHF-së, por duke pasur edhe kujdesin e mediave, iu përgjigj me të qeshur: “Jo, jo, nuk është e varfër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat