Gafa e tifozëve të Benfica-s, shkojnë në Frankfurtin e gabuar

Futboll

Gafa e tifozëve të Benfica-s, shkojnë në Frankfurtin e gabuar

Më: 19 prill 2019 Në ora: 07:11
Tifozi

Tifozët e Benfica-s janë shumë euforikë. Dhe kanë arsye për të qenë. "Shqiponjat" kryesojnë në kampionat, edhe pse me  pikë të barabarta me rivalët e Porto-s. Gjithashtu, ata kanë mundësi të mira për t'u kualifikuar në gjysmëfinalet e Europa League. 

Ndeshja e parë kundër Eintracht Frankfurt-it është mbyllur 4-2 për portugezët. Një rezultat që nuk jep shumë siguri, duke parë se përmbysjet në ndeshjet europiane janë në modë, por dy gola avantazh mbeten një pikënisje e mirë. Kështu, shumë tifozë të Benfica-s janë nisur me një entuziazëm të madh drejt Frankfurtit. Po, por drejt cilit Frankfurt? 

Kjo është pyetja që duhej t'i kishin bërë vetes disa tifozë të Benfica-s, të cilët kanë organizuar një udhëtim të bukur me makinë nga Portugalia në Frankfurt. Itinerari është kontrolluar me kujdes në internet dhe është dokumentuar në profilet e Instagram-it, ku nuk ka munguar fotografia klasike e tabelës mirë se erdhët në Frankfurt-in... mbi Oder.  

Me sa duket të gjithë i kanë harruar leksionet e gjeografisë së Gjermanisë, që shpjegojnë praninë e dy qytete të Frankfurtit. Ai që është mbi lumin Oder ndodhet në Brandenburg, në kufi me Poloninë, dhe, çka është  edhe më e rëndësishme, nuk ka një skuadër që luan në Europa League. Qyteti ku luan skuadra që do të përballet sot me Benfica-n është Frankfurti mbi lumin Majn, që ndodhet nga ana tjetër e vendit. 

Kur portugezët kanë kuptuar gabimin, ia kanë bërë të ditur të gjithëve me një "story" që ka bërë xhiron e internetit. Sigurisht, pas 16 orëve me makinë, askush nuk ka qenë i lumtur të bënte edhe gjashtë të tjera, ato që ndajnë dy qytetet me të njëjtin emër. 

Gjithsesi, siç mund të shihet nga postimet e tyre në Instagram, tifozët janë nisur drejt "Commerzbank-Arena", ku Joao Felix me shokë do të përballen me Luka Jovic, një ish-lojtar i Benfica-s. 

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat