Legjenda franceze: Mbappe është ylli i vërtetë i PSG, jo Neymar!

Futboll

Legjenda franceze: Mbappe është ylli i vërtetë i PSG, jo Neymar!

Më: 24 prill 2019 Në ora: 06:16
Kylian Mbappe

Kylian Mbappe është ylli i vërtetë i PSG, thotë Jean-Pierre Papin, një nga legjendat e futbollit francez, ndërsa Neymar vepron në hijen e 20-vjeçarit. Kampionët e Ligue 1 i forcuan radhët e tyre me dy superstarë ofensivë gjatë verës së vitit 2017. Neymar mbërriti nga Barcelona për shumën rekord botëror të 222 milionë eurove. 

Ai është transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit. Gjatë kohës në Francë, ndërkombëtari brazilian ka shënuar 48 gola në 54 ndeshje, por Mbappe ka qenë zbulimi. Ai u bë fitues i Kupës së Botës që 19 vjeç, para se të realizonte 30 gola në Ligue 1, deri më tani, këtë sezon.

Papin e konsideron Mbappe yllin e madh në “Parc des Princes”. Duke folur për “Le Parisien”, ish-sulmuesi i njohur nënvizoi: "Kylian ka luajtur pa asnjë ndalesë, për shkak të lëndimeve të të tjerëve. Arma e vërtetë e PSG nuk është Neymar, por Mbappe. Ne mund ta kishim parashikuar këtë. Edhe nëse Neymar është galaktik, për mua ylli i vërtetë i PSG është Mbappe. Në dy vite këtu, Neymar ka regjistruar disa statistika të pabesueshme, por Mbappe është në majë gjatë gjithë kohës.

30 gola në një sezon te PSG janë shumë, veçanërisht për një djalosh 20-vjeçar. Dallimi me mua është se e kam arritur këtë shifër vetëm një herë në karrierë, ndërsa Mbappe do ta bëjë disa herë. Nëse fiton Kupën e Botës vetëm 19 vjeç, shënon gola në Ligën e Kampionëve dhe grumbullon 30 gola në Ligue 1, je një yll i vërtetë. Kylian është në gjendje të shënojë gjatë gjithë kohës. Nuk kam asgjë për të thënë për cilësinë e tij, është i jashtëzakonshëm".

Mbappe tani konsiderohet të jetë lojtari kryesor për PSG dhe Francën. Papin e llogarit 20-vjeçarin përpara Griezmann. I pyetur se kush është më i miri, ish-goleadori francez u përgjigj: "Kylian, natyrisht, por ne mund të krenohemi edhe me Griezmann e Karim Benzema. Diferenca që bën Kylian është mosha e tij. Ai ka ardhur në momentin e duhur, është kampion i botës dhe luan me PSG për titull në Francë. Hapi i ardhshëm i tij është Liga e Kampionëve dhe “Topi i Artë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat