Nikaj: Jam gjithmonë me këmbë në tokë 

Futboll

Nikaj: Jam gjithmonë me këmbë në tokë 

Nga: Kemajl Goca Më: 24 prill 2019 Në ora: 19:30
Nikaj: Jam gjithmonë me këmbë në tokë 

Pesë javë kanë mbetur deri në përmbyllje të garave në Ligën e Parë të Kosovës, Vushtrria është me një këmbë në elitën e futbollit. Vushtrriasit janë në krye të renditjes me 60 pikë, me një epërsi shumë të mirë ndaj Besës që mban vendin e dytë me 52 pikë dhe Dukagjinit të Klinës që renditet i treti me 50 sosh.

Kryetrajneri i Vushtrrisë, Samuel Nikaj, vlerëson se ka ende ndeshje deri në fund dhe duhet përqendrim në secilën sfidë, sepse asgjë nuk ka të sigurt. “Jam tip që nuk fluturoj, jam gjithmonë me këmbë në tokë. Futbolli është i paparashikueshëm, topi është i rrumbullakët, prandaj asgjë s’ka përfunduar, na duhen 6 pikë që të filloj festa”, thotë Nikaj për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Sfida e radhës në Prishtinës kundër 2 Korrikut, por në rast të fitores do të jetë gjithçka e qartë sa i takon vendit të parë? “Të them të drejtën do të ishte qershia mbi tortë në qoftë se do të inkuadrohemi nga vendi i parë, por mendoj që lojtarët duhet të jenë më të preokupuar për ndeshjen e radhës se sa për vendin e parë kemi ndeshje shumë të fortë, pasi 2 korriku ka lojtar shumë cilësorë”, përgjigjet Nikaj.

Në përgjithësi liga e parë ka qenë mjaft interesante, pasi që një numër i skuadrave luftojnë për katër vendet e para dhe një numër që të ikin nga zona e rrezikut. A  e vlerësoni si kampionat me rivalitet e i vështirë, apo më i dobët se vitet paraprake?

“Në qoftë se para 2 vitesh pat rivalitet mes Flamurtarit e Vëllaznimit, këtë vit jemi 4 skuadra që rivalizojmë dhe mendoj që ky do të jetë viti më i rivalizuar i ligës së parë. Emrat e Vëllaznimit, Besës, Vushtrrisë e Dukagjinit janë emra me peshë në futbollin kosovar”, nënvizoi kryetrajneri i Vushtrrisë. Nikaj flet edhe për infrastrukturën se a është më e mirë se në vitet e kaluara në Ligën e Parë: “Ka disa fusha të papërshtatshme por në përgjithësi mirë është, më pëlqen futbolli i fortë e me duele dhe në ligën e parë të gjitha ndeshjet janë shumë të luftuara”.

Më tutje tregon se në një moment e kishte menduar edhe dorëheqjen: “Të them të drejtën ka patur një lidhje të fortë kryesi staf, lojtar dhe fillimi ka qenë i vështirë, mbas javës së 8-të kam menduar dorëheqjen por ndërhyrja e kapitenit dhe zëvendëskapitenit me bëri të reflektoj, plus kryesia nuk e pranoj dhe pas mbarimit të stinorit të parë desha të largohem për arsye shëndetësore por hasa në rezistencën e kryesisë dhe lojtarëve, kështu që pranova të sakrifikoj dhe Zoti me shpërbleu, pasi i kalova me sukses problemet shëndetësore. Prapë me ndihmën e Zotit arrijmë edhe objektivin: inkuadrimit në Superligë, pasi e meriton qyteti Vushtrrisë dhe tifogrupi ‘Forca’”. A jeni i kënaqur me fondin e lojtarëve dhe a ju kanë përkrahur tifozët 'Forca'?

“Të them të drejtën jam i kënaqur me grupin e lojtarëve, kam në dispozicion lojtarë me zemër, për sa i përket tifozerisë në Vushtrri ka 2 lloje tifozësh: njëra palë janë ata që mendojnë se janë trajnerë dhe gjithmonë janë të pakënaqur, po humbe normal të shajnë po fitove dojnë edhe lojë të bukur! Personalisht nuk më bën përshtypje pasi kam eksperiencën e Vllaznisë në Shkodër, se funksionojmë si njëjtë nga ana futbollit, ndërsa pala tjetër që janë tifozët ultras kam respekt të veçantë, humbëm fituam na përkrahin sidomos tifogrupi ‘Forca’ që është më i forti në Kosovë, i falënderojë se na kanë përkrahur edhe në disa fusha të nxehta”, përfundoi Nikaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat