Klopp provokon Barcelonën

Futboll

Klopp provokon Barcelonën

Më: 30 prill 2019 Në ora: 13:03
Klopp provokon Barcelonën

Barcelona është ekipi favorit për të fituar Champions League dhe për Liverpool sfida e madhe nuk do të jetë vetëm të ndalë Messin, por edhe të marrë rezultat pozitiv në Camp Nou, stadium që është kthyer në fortesë për blaugranat.

Megjithatë, trajneri i The Reds, Jurgen Klopp, është munduar të largojë frikën nga lojtarët e tij, duke deklaruar se nuk e shqetëson fare të luajturit në stadiumin katalanas, në vajtjen e gjysmëfinaleve të Champions League, para kthimit më 7 maj në Anfield.

Barcelona ka fituar 4 nga 5 ndeshjet e fundit të Champions League në Camp Nou, ndërsa pikë aty ka marrë vetëm Tottenhami, por Barça luante me rezerva në atë sfidë.

Gjithsesi, Klopp nuk beson te mistika e famshme e stadiumit dhe premton se Liverpool nuk do të ketë frikë, ashtu si bëri në Allianz Arena, ku mundi Bayernin.

"Camp Nou është thjesht një stadium. Është shumë i madh, por nuk është tempull futbolli", tha trajneri gjerman për DAZN.

"Përballja me Barcelonën do të vinte herët a vonë. Sheh ekipet e tjera që vuajnë në Camp Nou dhe tani e provon vetë. Natyrisht, ne shpresojmë të luajmë mirë, edhe pse e dimë mirë që nuk jemi favoritë. Do jetë një ndeshje fantastike për gjithë adhuruesit e futbollit".

Për Liverpool është një moment vendimtar i sezonit, sepse përveçse synon të triumfojë në Champions, është në garë për titull në Angli, ku Manchester City kryeson me një pikë më shumë, në një sezon rekordesh për dy kryesuesit e Premier League.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat