E bujshme, sheikët mbyllin "rubinetin" për PSG-në?

Futboll

E bujshme, sheikët mbyllin "rubinetin" për PSG-në?

Më: 2 maj 2019 Në ora: 18:02
Ilustrim

Bosët nga Katari janë lodhur: ky është lajmi i bujshëm që vjen nga Franca, sepse Le Parisien shkruan sot se dështimi i radhës në Champions League ka bërë që pronarët e PSG të mendojnë largimin nga kluni.

Bëhet fjalë për shpenzime kolosale që nuk po justifikohen, por mbi të gjitha për krenari të lënduar, pasi sheikët po e kuptojnë se nuk po hidhet asnjë hap përpara, përtej shpenzimeve të pabesueshme, me rekorde historike në merkato, si në rastin e Neymar.

Për këtë arsye, nuk përjashtohet një ulje e ndjeshme e financimeve, apo një largim total nga klubi në mënyrë graduale.

Qatar Sports Investments (QSI) e bleu PSG-në në vitin 2011 dhe që atëherë ka investuar më shumë se 1.5 miliardë euro, duke e kthyer PSG-në dominues absolut në Francë, me lojtarë të klasit botëror, por që nuk kanë fituar dot asnjë Champions League, duke mos iu afruar ndonjëherë seriozisht.

Përtej rezultateve, PSG është në konflikt të vazhdueshëm edhe me UEFA-n, për shkak të rregullave të Fair-Play financiar, që nuk lejon shpenzime nga xhepi i pronarëve, ndaj për sezonin e ardhshëm nuk parashikohen përforcime.

Për të shtuar dyshimet, lajmet nga Italia flasin për një interesim të Qatar Sports Investments për blerjen e Romës, por edhe për dy klube angleze, pasi në Londër investimet nga Katari do ishin të mirëpritura, ndryshe nga sa ka ndodhur në Francë, ku shumë presidentë klubesh kanë ngritur zërin kundër PSG-së.

Gjithsesi, për momentin pronarët e PSG-së nuk konfirmojnë asgjë dhe vazhdojnë punën normalisht, duke punuar edhe për ndërtimin e një qendre të re stërvitore, me vlerë 300 milionë euro, që duhet të përfundojë në 2021. Gjithsesi, nëse deri atëherë nuk përmirësohen në Champions League, PSG rrezikon të mbetet jetim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat