Nuk është vetëm Ajax, ja sekretet e mrekullisë Frankfurt

Futboll

Nuk është vetëm Ajax, ja sekretet e mrekullisë Frankfurt

Më: 2 maj 2019 Në ora: 18:04
Frankfurt

Sezoni 2018/19 ka pasur surpriza pa fund në kupat e Europës, si për sa u përket eliminimit të bujshëm të disa prej skuadrave favorite, ashtu edhe për zbulimin e madh të Champions League, Ajax, që ka bërë miliona njerëz të dashurohen me lojën e skuadrës nga Amsterdami.

Megjithatë, Ajax nuk është vetëm, sepse pak a shumë të njëjtën gjë ka bërë edhe Eintracht Frankfurt, përralla e bukur e Europa League. Holandezët e Ten Hag kanë bërë revolucion në lojë, ndërsa Frankfurti ka mahnitur në drejtime të tjera, duke treguar se mund të bëhen gjëra të mëdha pa pasur buxhetin e Bayernit...

Jovic, Haller, Gacinovic: "Feniksët" e Frankfurtit

Histori ringjalljesh dhe hakmarrjesh. E para i përket sulmuesit Luka Jovic, një futbollist serb që kur ishte adoleshent flinte në makinë me të atin, para stërvitjeve. Kohë të vështira, por që e kanë ndihmuar 21-vjeçarin të bëhet burrë dhe të përballojë gjithçka. 25 gola në 43 ndeshje këtë sezon, kurrë kaq shumë në karrierë. Më parë shkoi te Benfica, qau për tre ditë rresht: "Isha vetëm, pa të fejuar apo prindërit. Më mungonte gjithçka". Tani e do Barcelona, por edhe Reali e Bayerni mund të futen në ankand.

Mijat Gacinovic ka një histori të ngjashme me Jovic. Është datëlindje '95, si Milinkovic-Savic, kampion Europe me Serbinë U19 në 2013 dhe kampion bote me U20 në 2015. Edhe i ati futbollist, ndërsa e fejuara është xheloze: "Thotë që shoh tepër futboll, edhe kur dalim jam me telefon në dorë!".

Trajneri Krstajic nuk e mori në Botërorin rus, tani Gacinovic e ka fituar me dhunë vendin në kombëtare, sepse ka luajtur 40 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola në Europa League për Frankfurtin, që i rinovoi kontratën në dhjetor.

Për t'u ndjekur është edhe Sebastien Haller, sulmues i datëlindjes '94, i cili do të mungojë për dëmtim ndaj Chelseat, por ka shënuar 19 gola mes kampionatit e kupave, 4 në Europa League. Kur ishte i vogël praktikonte xhudon, futbolli erdhi më vonë, por tek Auxerre u zu me trajnerin dhe u largua, duke shkuar tek Utrechti i Ten Hag: "Trajner fantastik, ndonjëherë i studionte kundërshtarët deri natën vonë!". Haller studion gjigantin Drogba dhe shikon videot e Thierry Henry.

Sulmues i veçantë është edhe Ante Rebic, 10 gola këtë vit, dy gola në finalen e kupës kundër Bayernit vjet. Frankfurti e bleu për 2 milionë euro nga Fiorentina, pas Botërorit me Kroacinë çmimi i tij shkoi 15 herë më lart.

Hutter, nga Zvicra tek ëndrra Europa League

Quhet Adolf Hutter, një emër i çuditshëm, burim humori e batutash për ngjashmërinë me Adolfin tjetër, atë të tmerrshmin që për pak sa nuk pushtoi botën. Në fakt prindërit e tij nuk ishin nazistë, emri erdhi thjesht sepse gjyshja dëshironte të nderonte kujtimin e xhaxhait (i ndarë nga jeta në moshën 27-vjeçare) të trajnerit aktual të Frankfurtit.

Filozofia e trajnerit të Frankfurtit është e thjeshtë: "Më pëlqen futbolli i bukur. Fantazi, vrap dhe disiplinë taktike". I zbatonte që te Grodig, në Austri, në vitin 2012, kur fitoi divizionin e dytë kundër çdo parashikimi. Në debutimin në Gjermani ka bërë gjëra të pabesueshme dhe tashmë ëndërron të fitojë Europa League, përveç vendit të katërt në kampionat.

Frankfurti i Hutter është një spektakël i veçantë: gjithnjë në sulm, 28 gola të shënuar në 12 ndeshje në Europë, 6 gola Lazios dhe 6 Shakhtarit. Vetëm një humbje, ndaj Benficas, në një ndeshje ku Frankfurti e mbylli me 9 lojtarë, por në Gjermani përmbysi gjithçka.

Hutter ka dalë kampion në Zvicër me Young Boys, duke thyer hegjemoninë e Baselit me skuadrën më të re të kampionatit. Më pas ka fituar titullin me Red Bull Salzburg dhe tashmë rrugëtimi vazhdon në Bundesligë.

Fischer, presidenti që i mbijetoi një tsunami

Mjafton emri i tij që tifozët e Frankfurtit të kalojnë në delir, si ndodhi në Milano, në ditën e sfidës kundër Interit. Ishte ditëlindja e tij, foto e birra me tifozët, gjithnjë i buzëqeshur. "Nuk mendoja se do qaja ndonjëherë kaq shumë, jam shumë i lumtur. Kam mbivlerësuar seksin falë këtij trofeu!", deklaronte Peter Fischer pas fitimit të kupës së Gjermanisë, vjet.

Presidenti i Frankfurtit është kështu, i sinqertë, vullkanik, i thotë gjërat si i mendon. Në 2017 tha një batutë të fortë për një anëtar të një partie të të djathtës ekstreme: "Nuk kanë vend te Frankfurti, nuk u japim asnjë aksion, sepse kanë tendenca raciste".

Më 26 dhjetor Fischer i mbijetoi tsunamit në Tailandë, që vrau më shumë se 220 mijë persona. Fischer qëndroi për dy javë në Tailandë, duke ndihmuar njerëzit pa strehë, rreth 3milionë anembanë Tailandës. Tani ka krijuar një shoqatë për të ndihmuar fëmijët në Phuket, zonë e shkatërruar nga tsunami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat