Ademi: Kjo ditë solli emocione e lot gëzimi 

Futboll

Ademi: Kjo ditë solli emocione e lot gëzimi 

Më: 3 maj 2019 Në ora: 11:36
Agim Ademi: Kjo ditë solli emocione e lot gëzimi 

Federata e Futbollit e Kosovës është pranuar para tri viteve në mekanizmat më të lartë të futbollit, në UEFA dhe FIFA. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, tha se ajo ditë ka sjell emocione të veçanta. 
“Sot për ne dhe për futbollin e Kosovës është një ditë e madhe dhe e shënuar në historinë e futbollit tonë dhe jo vetëm. Si sot, tre vite më parë, në Kongresin e UEFA-s në Budapest, FFK-ja u anëtarësua me të drejta të plota në UEFA, duke i dhënë fund izolimit 25-vjeçar dhe duke e hapur një epokë të re në historinë e futbollit tonë. Kjo ditë solli emocione e lot gëzimi kudo në Kosovë e Diasporë, pasi për një vendim të tillë meritor ishte pritur me dekada dhe u sakrifikuan shumë breza. Ishte një ditë në të cilën ngadhënjeu drejtësia dhe futbolli, e ku u shpërblye mundi, djersa e sakrifica e shumë gjeneratave pa dallim. Kjo ditë shënoi kthesën e shumëpritur për futbollin e Kosovës për të ecur përpara drejt rezultateve dhe integrimeve në familjen e futbollit evropian, aty ku edhe e kemi vendin dhe ku po marshojmë me dinjitet dhe me rezultate të mira.
Që nga ajo periudhë FFK-ja ka bërë hapa të mëdhenj në zhvillimin e saj si federatë, derisa Kombëtarja e Kosovës ka krijuar një ekip shumë cilësor, ku me lojërat e paraqitura sidomos në Ligën e Kombeve, por edhe në ciklin kualifikues për Euro 2020, ka bërë krenar tërë kombin dhe është shndërruar në storie suksesi për vendin tonë kudo në botë. Po ashtu, edhe ekipet zinxhir të grupmoshave të Kombëtares gjatë kësaj kohe janë konsoliduar, derisa pjesëmarrja e klubeve në garat evropiane ka ndikuar në ngritjen e cilësisë dhe të organizimit në kampionatin vendor.
Prandaj, shfrytëzoj rastin që në këtë ditë të veçantë t’i falënderoj të gjithë ata që punuan në vazhdimësi dhe brez pas brezi që sot ta gëzojmë këtë ditë. Falënderoj gjeneratat para nesh që morën guximin dhe i thanë “JO” regjimit okupator dhe e mbajtën gjallë futbollin në kushte jashtëzakonisht të vështira, duke e ndarë edhe kafshatën e gojës për ta mbajtur gjallë futbollin e Kosovës, si dhe të gjithë ata njerëz të vullnetit të mirë që arat pjellore i lëshuan për t’i shndërruar në fusha futbolli.

Image

Agim Ademi

Po ashtu i kujtoj me krenari të gjithë ata që punuan dhe ndihmuan për këtë ditë të madhe e që më nuk janë në mesin tonë, posaçërisht ish-presidentin, Fadil Vokrri, por edhe të gjithë të tjerët që kanë qenë pjesë e futbollit.
Urime kjo ditë e madhe të gjithë anëtarëve të KE-së, të gjitha klubeve dhe kryetarëve të tyre, futbollistëve, organeve tjera të futbollit (delegatëve të Kuvendit të FFK-së, Komisioneve, gjyqtarëve, delegatëve të ndeshjeve), tifozëve “Dardanët” si dhe tërë popullit të Kosovës. Vazhdojmë tutje, me Krenari e Përgjegjësi! Na priftë e mbara!”, shkruan Agim Ademi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat