Thaqi: Ndeshja më e rëndësishme e Prishtinës

Futboll

Thaqi: Ndeshja më e rëndësishme e Prishtinës

Më: 3 maj 2019 Në ora: 16:05
Thaqi: Ndeshja më e rëndësishme e Prishtinës

Drita dhe Prishtina nesër takohen për herë të 45-të pas luftës. Një Dritë e fort dhe e respektuar, por që ka dal nga gara me një Prishtinë që e ndajnë vetëm katër javë nga titulli. Drita e Prishtina kanë bërë historinë pas luftës dhe mbahen në mend tre përballjet e tyre. Ishte ndeshja e vitit të kaluar ku Drita u shpall kampion e Prishtina edhe me dy futbollistë më pak nuk u mposhtë. Është finalja e Kupës më 2016 kur Prishtina e kishte rikthyer rezultatin dhe kishte triumfuar dhe është ndeshja e parafundit e kampionatit në Gjilan më 2002/03 – ishte mbyllur 1:1, Drita kishte fituar titullin e parë të kampionit, kishte ruajtur distancën prej 1 pike, por Prishtina s’ishte mposhtur, raporton faqja e klubit të futbollit Prishtina. Megjithëse tani në situatë ndryshe dhe me distancë prej 21 pikëve, Drita konsiderohet kundërshtari më i vështirë jo direkt për titull në 30 javët e deritashme. Dhe, për ta merituar titullin, Prishtina duhet të mposhtë edhe një rival të fortë që është jashtë gare, por ia ka ëndja të mposhtë kryeqytetasit.

Prishtina nuk ka futbollistë të suspenduar, por vazhdojnë të mungojnë Korenica dhe Haliti.
Drita – Prishtina
E shtunë, 4 maj – ora 16:00
Stadiumi i qytetit, Gjilan
“Ndeshja më e rëndësishme e sezonit e ndoshta edhe ndeshja më e rëndësishme e Prishtinës në këto vitet e fundit, po ashtu edhe për ne futbollistët, sepse dihet se çka na pret nëse dalim me tre pikë nga ky udhëtim. Pra, natyrshëm që pres angazhim maksimal prej gjithsecilit bashkëlojtar dhe të vazhdojmë drejt synimit tonë, drejt serisë pozitive që kemi. Është shumë mirë që gjithçka varet nga këmbët tona në këto katër ndeshjet e mbetura dhe po i përfunduam mirë ashtu siç e kemi synim, atëherë s’kemi çka e shikojmë askënd tjetër.

Do të japim maksimumin dhe të arrijmë tre pikët, mbase më të rëndësishme të vitit”, ka thënë mbrojtësi i djathtë, Armend Thaqi, i cili i ka zhvilluar të gjitha ndeshjet kampionale dhe zyrtare me bardhekaltrit këtë edicion duke regjistruar 32 paraqitje (29 kampionale – 3 Kupë), duke shënuar 4 gola në kampionat dhe 7 asistime kampionale. Gjithsejtë Armend Thaqi me Prishtinën nesër do të ketë paraqitjen e 110-të, ndërsa ka shënuar 8 gola e 8 asistime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat