Dukej si punë e kryer, por transferimit të De Ligt tek Barca po i del një pengesë e madhe

Futboll

Dukej si punë e kryer, por transferimit të De Ligt tek Barca po i del një pengesë e madhe

Më: 5 maj 2019 Në ora: 12:11
Matthijs De Ligt

Transferimi i Matthijs De Ligt tek Barcelona nuk po del të jetë punë aq e lehtë për skuadrën katalane.

Barcelona dukej sikur kishte përfunduar gjithçka rreth Matthijs De Ligt dhe pritej vetëm nënshkrimi me lojtarin.

Raportimet e medieve spanjolle bënin të ditur se qendër mbrojtësi i Ajax Amsterdam dëshiron një kalim në ‘Camp Nou’ duke përjashtuar nga gara Juventusin dhe skuadrat tjera që interesoheshin për të.

Transferimi i mëhershëm i Frenkie de Jong dhe marrëveshja me Ajax për lojtarët e akademisë dukej sikur vetëm thjeshtësonin punën e kampionëve të Spanjës për 19 vjeçarin.

Por, raportimet e fundit të ‘Marca’ bëjnë të ditur se ka një problem të madh në mes të Barcës dhe kapitenit të Ajax. Ata duhet ta ‘heqin qafe’ agjentin Mino Raiola, i cili po pengon gjithçka.

Se e ardhmja e lojtarit nuk do të jetë tek Ajax e ka bërë të ditur edhe trajneri i skuadrës, Erik Ten Hag, i cili ka përmendur Barcelonën dhe Bayern Munich si destinacionet e mundshme të të riut holandez.

Mbetet të shihet nëse Raiola do të ‘neutralizohet’ dhe nëse Barcelona do të nënshkruaj me lojtarin gjatë verës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat