Kush është Jurgen Klopp, trajneri brilant që punonte ngarkim-shkarkim?

Futboll

Kush është Jurgen Klopp, trajneri brilant që punonte ngarkim-shkarkim?

Më: 8 maj 2019 Në ora: 15:00
Jurgen Klopp

Liverpooli mbrëmë bëri përmbysjen më të madhe në futboll vitet e fundit duke fituar 4 me 3 me rezultat të përgjithshëm, pasi kishin humbur ndeshjen e parë me rezultat 3-0.

Arkitekti i këtij suksesi të madh është pa dyshim, Jurgen Klopp, i cili ka një karrierë të mbushur me plot suksese.

Ekipi i tij në finalen e Romës e pret njërën prej çiftit Ajax ose Tottenham Hotspur.

Si futbollist, Klopp ka luajtur si mbrojtës dhe si sulmues, diçka e çuditshme për një futbollist profesionist. Karrierën e tij profesionale e nisi në moshën 23 vjeçare, te Mainzi ku i bëri 325 ndeshje dhe 52 gola.

Klopp ka filluar karrierën si trajner para 18 vitesh, në moshën 34 vjeçare te po i njëjti klub, Mainz 05. Këtë klub e udhëhoqi për shtatë vite, gjatë cilave punoi edhe si analist sportiv dhe u shpërblye madje në këtë rol.

Por, ai mori vëmendjen e madhe pas punës si trajner i Borussia Dortmundit, të cilin klub e mori në vitin 2008. Me këtë klub, Kloppi ia doli ta fitonte dy herë Bundesligan, më 2011 dhe 2012, më pas DFB Pokalin po më 2012, superkupën e DFL më 2013 dhe 2014 dhe ishte finalist i Ligës së Kampionëve më 2013.

Me Liverpoolin ai ende nuk e ka fituar asnjë trofe, por arritjet e tij janë megjithatë mbresëlënëse. Ka qenë në finale të Kupës së Ligës më 2016, në finale të Europa Ligës në po të njëjtin vit dhe në finalen e vitit të kaluar të Ligës së Kampionëve. Të gjitha finalet i ka humbur. Sivjet, tifozët e Liverpoolit shpresojnë se tradita e Kloppit për t’i humbur finalet do të përfundojë. Liverpooli sivjet po kalon një sezon fantastik edhe në Premier Ligë, ku megjithëse mund të përfundojnë në vendin e dytë, kanë arritur rekord pikësh.

Kloppi ka qenë i martuar dy herë, nga të cilat martesa ka dy djem. Ai është i krishterë protestant dhe në publik ka shprehur rëndësinë që ka Jezu Krishti në jetën e tij.

Në një intervistë për Guardian në prill të 2018-s, Kloppi kishte shprehur edhe qëndrimet e tij politike, duke thënë: “Jam i së majtës, natyrisht. Më shumë i së majtës se i qendrës. Besoj në një shtet të mirëqenies. Kurrë s’do të votoja për një parti që premton ulje të taksave për të pasurit. Të kuptuarit tim të politikës është ky: Nëse unë ia dal mirë, dua që edhe të tjerët t’ia dalin, po ashtu. Nëse ka diçka që kurrë s’do ta bëja në jetën time, është që të votoj për të djathtën”.

Ai konsiderohet gjerësisht si një prej trajnerëve më të mirë të futbollit në botë. Edhe Guardiola, trajneri i Manchester Cityt, më 2016 kishte thënë që Kloppi “ishte trajneri më i mirë në botë në krijimin e ekipeve që sulmojnë”.

Një prej trajnerëve influencues të tij është Arrigo Sacchi, që kishte suksese fantastike me Milanin, dhe Wolfgang Frank.

Kloppi ishte tifoz i WfB Stuttgartit gjatë rinisë së tij. Si djalë i ri, Kloppi aspironte të  bëhej mjek, por “ia merrte mendja që s’ishte i mençur aq sa duhej për një gjë të tillë”. Derisa luante si futbollist amator, Kloppi kishte punuar në shumë vende, përfshirë edhe ngarkim-shkarkim mallrash në kamiona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat