Ferizaj shpreson t’i ikë zonës së rrezikut!

Futboll

Ferizaj shpreson t’i ikë zonës së rrezikut!

Nga: Kemajl Goca Më: 8 maj 2019 Në ora: 17:06
Dren Gashi

Ferizaj është në rrugë të mirë që t’i ikin zonës së rrezikut përkatësisht barazhit! Pak kush ka besuar se Ferizaj do të ketë një ecuri të mirë në pjesën pranverore, sidomos të vargojë katër fitore rresht në katër javët e fundit, duke e mundur me 2:1 Feronikelin në Drenas, pastaj me 3:1 Flamurtarin, ndërsa në Therandë triumfoi me 4:2 dhe së fundi e mundi me 3:1 Lirinë. Ferizajasit janë në pozitën e tetë me 37 pikë por me mundësi që të ngritën edhe më lartë nëse vazhdojnë me këtë ritëm.

Klubi që drejtohet nga kryetrajneri Bylbyl Sokoli është me mendje nga sfida e të premtes (nesër, 16.00) në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, ku do të takohen me Trepçën ’89. Futbollisti i Ferizajt, Dren Gashi, shprehet se falë punës që po bëhet dhe disiplinës kanë arritur në nivelin e këtyre rezultateve.

Pretendimet e ferizajasve janë që në tri ndeshjet e fundit të arrijnë sa më shumë, pikë, ku pas Mitrovicës do të luajnë në Kastriot me KEK-un dhe në fund do të ndeshen me Gjilanin.  Nga pozita e pestë e deri të i dhjeti në elitën e futbollit janë me pikë të përafërta, ku Trepça '89 është në pozitën e pestë me 39 pikë, pasojnë Drenica 38, Flamurtari 38, Ferizaj 37, Ballkani 36 dhe Gjilani është i dhjeti me 35.  

“Bota sot”: Ferizaj me seri fantastike, katër ndeshje katër fitore në javët e fundit, çfarë ndikoi në ecurinë e mirë?
Dren Gashi
: Në ecurinë e këtyre fitoreve rresht mendoj që ndikoi puna jonë me disiplinë që e kemi bërë qysh nga fillimi i kampionatit duke e respektuar çdo kundërshtar në mënyrën e vet.
“Bota sot”: Sfida e radhës në Mitrovicë, a do të ishit të kënaqur edhe me një pikë?
Dren Gashi:
Sfida e radhës në Mitrovicë normal se do të jetë mjaft e vështirë, pasi që ata janë vendas por do të luftojmë deri në fund që të dalim me rezultat pozitiv.
“Bota sot”: Ferizaj ka orarin e mirë, a shpresoni t’i shmangni edhe barazhit?
Dren Gashi
: Po, unë mendoj që nuk ka orar të lehtë, pasi që nuk i dihet sepse çdo javë po ka ndonjë befasi dhe se nuk duhet ta shikojmë shumë orarin por ta shikojmë secilën ndeshje si një finale për ne.
“Bota sot”: A i keni tejkaluar të gjitha parashikimet?
Dren Gashi:
Në fillim kanë menduar të gjithë se Ferizaj gjithsesi do të jetë në barazh por ne për momentin jemi jashtë, unë mendoj që i kemi tejkaluar mendimet e tjerëve por jo edhe tonat.
“Bota sot”:  A jeni në formë të mirë dhe çka premtoni deri në fund?
Dren Gashi:
Jam i lumtur që po shënoj gola dhe jam në formë, shpresoj që deri në fund t’i ndihmoj ekipit me gola dhe të mbijetojmë.
“Bota sot”: Ku është forca e Ferizajt?
Dren Gashi:
Mendoj se është forca që jemi komplet, organizimi qysh nga i pari deri te i fundit në klub, duke i përfshi edhe tifozët tanë që na përkrahin në çdo lojë në çdo moment, pasi që kemi nevojë shumë për ta, sidomos në lojërat e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat