Koha për gjyq, 3 lojtarë nën akuzë te Barcelona!

Futboll

Koha për gjyq, 3 lojtarë nën akuzë te Barcelona!

Më: 8 maj 2019 Në ora: 18:31
Barcelona

Katastrofa epike pësuar në Liverpool ishte nga ato ku nuk shpëton askush: nga Valverde deri tek lojtarët, janë të gjithë fajtorë, sepse Barcelona brenda një viti ka pësuar dy disfata të pabesueshme, duke mos nxjerrë mësime nga shpartallimi në Romë vjet.

Megjithatë, brenda ekipit mund të bëhen edhe disa vlerësime mbi ata që kanë zhgënjyer më së shumti dhe sipas spanjolles AS, 3 janë lojtarët nën akuzë, që nuk bënë asgjë në Anfield: Coutinho, Jordi Alba e Sergio Busquets.

Braziliani është tashmë një i huaj te Barcelona, tifozët nuk e duan më dhe nuk e fshehin inatin me fantazistin, për të cilin Liverpool shpenzoi 120 milionë euro (plus 40 milionë në bonuse) në janar 2018. Gjesti i tij ndaj Camp Nout në ndeshjen kundër Manchester United ishte goditja fatale dhe nuk kanë pasur vlerë as thirrjet e drejtuesve dhe Messit për paqe.

Përtej sjelljes, Coutinho nuk po bën asgjë në fushë për të bindur të gjithë se vlen për Barcelonën, sepse në Anfield e preku vetëm 18 herë topin, pa krijuar asnjë rrezik për Liverpool. Braziliani humbi çdo duel në sulm dhe humbi edhe një rast ideal për shënim. Lojtar i brishtë dhe i rënduar moralisht nga hapësira e paktë te Barça, Coutinho e humbi në Anfield dhe tashmë e ardhmja e tij duket e shkruar, sepse Barcelona do të mundohet të rikuperojë të paktën një pjesë të milionave që shpenzoi për të, duke e shitur në rast oferte serioze.

Nëse Coutinho nuk u bë kurrë katalan i vërtetë, është krejt e kundërta me Busquets, i cili ka një marrëdhënie shumëvjeçare me Barcelonën, por në Anfield ishte një fantazmë, duke qenë pasqyra e rrënimit blaugrana. 

Qartësisht Busquets nuk është më ai i kohërave të arta, ritmi i tij ka rënë ndjeshëm dhe Rakitic e Vidal vraponin dyfish, për të mbyllur të gjitha gropat në mesfushë. I dominuar nga mesfusha agresive dhe taktikisht perfekte e Liverpoolit, Busquets humbi edhe virtytet e tij më të mira: ftohtësinë, arsyetimin, llogaritë. Një ndër metronomët e Barcelonës ishte totalisht jashtë loje dhe kjo kushtëzoi gjithë ekipin, aq më shumë që Valverde nuk bëri asgjë për ta përforcuar mesfushën.

Nëse Busquets simbolizon kalimin e viteve, Jordi Alba është pasqyrimi i mungesës së përqendrimit dhe vendimmarrjeve të gabuara. Dy gabime serioze në dy golat e parë të Barcelonës krijuan terrenin për përmbysjen spektakolare të Liverpoolit, që përfitoi më së miri edhe nga daljet në sulm të Jordi Albas, i cili linte hapësira të mëdha në mbrojtje. Edhe gabimet e Albas në pasim ishin shqetësuese, sinjal i qartë se Barcelona duhet të kërkojë për një alternativë në rolin e tij, ashtu si për Busquets.

De Jong do të vishet 'blaugrana' në verë, ndërsa për Jordi Alban nuk ka ende asnjë zëvendës, një rehati që kthehet në hall kur loja bëhet serioze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat