Agim Ademi ka një fjalë për vëllain e Xherdan Shaqirit dhe për Florent Hadërgjonaj 

Futboll

Agim Ademi ka një fjalë për vëllain e Xherdan Shaqirit dhe për Florent Hadërgjonaj 

Më: 9 maj 2019 Në ora: 15:51
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe Florent Hadërgjonaj

Futbollisti i spikatur, Florent Hadërgjonaj, pjesë e skuadrës së Premier League, Huddersfield Town, sot, është pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës. Në këtë ditë të veçantë për vetë futbollistin, por edhe për Kombëtaren e Kosovës, afër futbollistit ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili e ka uruar Florentin për pajisjen me pasaportë të Kosovës dhe njëherësh e ka përgëzuar dhe falënderuar për vendimin e marrë që kontributin e tij tash e tutje ta japë në fanellën e Kombëtares së Kosovës, e cila është shndërruar në simbol suksesi. Ademi, po ashtu ka falënderuar edhe menaxherin e futbollistit, Erdin Shaqirin, që po ashtu kontribuoj në ardhjen e tij në Kombëtaren e Kosovës. Duhet theksuar se Erdinin është vëllai i Xherdan Shaqirit.
Mbrojtësi 24-vjeçar tashmë është në dispozicion të përzgjedhësit Bernard Challandes dhe pa dyshim do të jetë një armë shumë e fortë në repartin e mbrojtjes për ndeshjet e ardhshme të ciklit kualifikues për Euro 2020.
Florenti deri tash ka luajtur me të gjitha ekipet e grupmoshave të Kombëtares së Zvicrës, por në fund vendosi me zemër që t’i bashkohet ekipit të Dardanëve, fanellë të cilën e ndjenë më shumë dhe aty ku emocionet janë të papërshkrueshme.
Florent Hadërgjonaj në këtë edicion të Ligës Premiere ka luajtur në 24 ndeshje me Huddersfieldin, 19 prej të cilave ka qenë titullar, derisa në fushën e gjelbër i ka kaluar 1840 minuta, thuhet nga Federata e Futbollit të Kosovës.
“Dua që të ju njoftoj se tani sapo kam marrë pasaportën e Kosovës dhe jam gati që të luaj me fanellën më të bukur në botë. Dëshira ime gjithmonë ka qenë të luaj për vendlindjen time, mirëpo është dashur të vije momenti i duhur. Jam grumbulluar edhe nga Zvicra nga të gjitha grupmoshat deri në ekipin e parë. Nga tani, unë Florent Hadergjonaj jam një Dardan plus për trajnerin Bernard Challandes dhe do të jap gjithmonë maksimumin për Kosovën tonë”, ka thënë Hadërgjonaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat