Mesazhi i presidentit të FFK-së pas vendimit të Hadërgjonajt për t’iu bashkuar Kosovës 

Futboll

Mesazhi i presidentit të FFK-së pas vendimit të Hadërgjonajt për t’iu bashkuar Kosovës 

Më: 9 maj 2019 Në ora: 18:48

Sot në ditën e Evropës në përpjekjet tona si shtet për integrim në Evropë, iu dha një lajm i mirë opinionit sportiv. Në fakt, sot, Kombëtares së Kosovës në futboll ju bashkëngjit edhe një Dardan, një yll i Evropës – futbollisti i shkëlqyeshëm, Florent Hadërgjonaj.

Pa dyshim se ardhja e tij do të na e lehtësojë shumë përmbushjen e objektivit tonë që ta kualifikojmë Kosovën në “Euro 2020”. Hapin të cilin e ndërmori Florenti është hap i natyrshëm sepse ai përkundër që ishte i grumbulluar me të gjitha grupmoshat e Zvicrës, madje edhe nga Kombëtarja A, në takimin tonë të fundit ku ishim së bashku me menaxherin e tij Erdin Shaqiri, trajnerin Bernard Challandes dhe anëtarin e KE të FFK-së, Flamur Bunjaku, ishte i prerë për të luajtur për Kosovën.

Edhe pse Florenti është i lindur në Zvicër, ai, është rritur në frymën patriotike, duke mos harruar asnjëherë rrënjët e veta. Vendimi i marrë prej tij edhe njëherë dëshmon se sa shumë e duan bashkatdhetarët tanë Kosovën.

Shumica e këtyre familjeve u detyruan ta braktisin atdheun e tyre në kohën e okupimit dhe represionit serb, si dhe për shkak të veprimtarisë së tyre kombëtare kundër regjimit të atëhershëm.

Shkuarja e tyre në vendet e Perëndimit rezultoi me kontributin e tyre financiar për familjet dhe Kosovën në vitet e 90-ta, kurse tani erdhi koha që bijtë dhe bijat e këtyre bashkatdhetarëve ta përfaqësojnë Kosovën me dinjitet në futboll, duke e bërë krenar tërë kombin.

Prandaj, falënderoj bashkatdhetarët që i rritën këto gjenerata dhe i orientuan në frymën kombëtare. Në rastin konkret të Florentit, falënderoj familjarët e tij të ngushtë, si dhe dajtë e tij, në konakun e të cilëve është marrë vendimi që Florenti t’i bashkohet Kosovës. Po ashtu falënderoj njeriun që ishte i prerë për t’iu realizuar dëshira Florentit për të qenë pjesë e Kombëtares së Kosovës, menaxherin Erdin Shaqiri.

Shfrytëzoj këtë rast që edhe njëherë publikisht t’i dëshiroj Florentit mirëseardhje dhe ta uroj ekipin tonë kombëtar, Dardanët dhe gjithë futbolldashësit për ardhjen e Florentit.

Gjithashtu, ftoj edhe një herë të gjithë talentet tonë kudo që janë nëpër Evropë e botë që t’i bashkohen ekipit tonë kombëtar dhe ta japin kontributin e tyre për vendin e të parëve në mënyrë që ta kemi më të lehtë realizimin e ëndrrës tonë të drejtë dhe të merituar – kualifikimin e Kosovës në “Euro 2020”.
Vazhdojmë misionin tonë me Krenari dhe Përgjegjësi.
Urime!, ky është mesazhi i Agim Ademit, president i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat