Drejtim mjeti me celular në dorë, 6 muaj heqje patente për Beckham

Futboll

Drejtim mjeti me celular në dorë, 6 muaj heqje patente për Beckham

Më: 9 maj 2019 Në ora: 19:27
David Beckham

Të jesh David Beckham, në Angli do të thotë shumë. Të drejtosh një “Bentley” nuk është e pazakontë për persona me pasuri si ajo e ish-futbollistit të Manchester United dhe shumë ekipeve të tjera të mëdha të Europës, por edhe ish-kapitenit të Anglisë.

Por, ta ngasësh automjetin teksa përdor njëkohësisht edhe celularin, kjo e zeron edhe emrin e legjendës së futbollit britanik. Pikërisht David Beckham është dënuar me 6 muaj heqje patente, sepse shkeli kësisoj rregullat e qarkullimit rrugor.

44-vjeçari, bashkëshort i Victoria Beckham, kishte pranuar fajësinë për drejtim automjeti teksa përdorte telefonin në rrugët e qendrës së Londrës, që prej 21 nëntorit. Por, vetëm këtë të enjte, një gjykatë britanike shqyrtoi provat e fotografimit të tij prej një qytetari të rastit, duke përdorur telefonin celular teksa lëvizte “shumë ngadalë” për shkak të trafikut të rënduar.

Për këtë shkelje, Beckhamit iu hoqën 6 pikë në lejen e drejtimit, e po kaq është ndëshkuar edhe më herët për shkak të lëvizjes me shpejtësi mbi normat e lejuara. Jo vetëm kaq, pasi ai është gjobitur me 750 paund, është detyruar të paguajë 100 paund shpenzime hetimore, e më tej edhe një kamatëvonesë prej 75 paundësh, që të gjitha këto brenda 7 ditësh.

Gjyqtarja e çështjes në fjalë, Catherine Moore tha se, e pranonte që ai po lëvizte me një shpejtësi tejet të ngadaltë në trafik, por bazuar në ligj “askush nuk mund të falet”.

Në shtator, Beckham u akuzua se “i kishte ikur përgjegjësisë” si një shembull për të tjerët, kur iu shmang një hetimi për tejkalim shpejtësie, për shkaqe teknikalitetesh. Por, babai i 4 fëmijëve pranoi edhe asokohe se kishte ecur me shpejtësi 95 km/h në një zonë ku nuk lejohej më shumë sesa 64 km/h, në janar të vitit të kaluar në perëndim të Londrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat