Sfida emocionuese në elitën e Kosovës

Futboll

Sfida emocionuese në elitën e Kosovës

Më: 10 maj 2019 Në ora: 10:38
Sfida emocionuese në elitën e Kosovës

Java e 31-të e IPKO Superligës së Kosovës nis që këtë të premte, në orën 16:00, me tri ndeshje mjaft interesante, ku luftohet për të njëjtin objektiv, shmangien e zonës së barazhit, për të mos rrezikuar rënien nga kategoria. Janë 6 skuadra, nga vendi i 5-të deri te vendi i 10-të, që ndahen nga njëra-tjetra nga vetëm 4 pikë.   Trepça ’89, ndodhet në pozita disi më komode, me 39 pikë, ndërsa për Gjilanin, që ka 35 pikë, situata paraqitet më e vështirë.

3 javë para fundit, Trepça ’89 pret Ferizajn, me synimin për ta shfrytëzuar sa më mirë faktorin fushë, pse jo, për të siguruar ndoshta matematikisht qëndrimin, në varësi edhe të rezultateve në takimet e tjera.

Dueli më i ashpër dhe më i ekuilibruar është pa dyshim Flamurtari-Drenica. Të dyja skuadrat kanë të njëjtën kuotë pikësh, 38, dhe dëshirojnë të marrin fitoren për të shmangur barazhin. Barazimi nuk është opsion në këtë duel, që do të zhvillohet në kryeqytet, pasi mund t’u japë mundësi ndjekësve më të afërt të fitojnë terren në renditjen.

Ballkani-Gjilani është takimi i tretë dhe i fundit që “ndez” këtë të premte në IPKO Superligën e Kosovës. Në Therandë vendasit duan me çdo kusht suksesin, madje edhe barazimi do të konsiderohej si humbje, pasi “laku” është ngushtuar dhe nuk ka më kohë për të rikuperuar. Katër humbjet radhazi e kanë komplikuar shumë situatën tek Gjilani, që në rast suksesi në këtë transfertë, do t’i rriste shanset për të shmangur barazhin, pasi javën e ardhshme luan me KEK-un.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat