Pogba fajëson Messin dhe Ronaldon për kritikat!

Futboll

Pogba fajëson Messin dhe Ronaldon për kritikat!

Më: 10 maj 2019 Në ora: 18:38
Pogba fajëson Messin dhe Ronaldon për kritikat!

Futbollisti Paul Pogba është kritikuar për formën e tij dhe për faktin se ka shënuar vetëm 2 gola në 14 ndeshjet e fundit të luajtura me Manchester United në të gjitha garat. Pavarësisht 13 golave dhe 9 asistimeve në këtë sezon të Premier League, kampioni i botës është parë si fajtori kryesor për vështirësitë e ekipit.  

Shpresat e Manchester United për t'u kualifikuar në sezonin e ardhshëm të Champions League janë shuar fundjavën e kaluar pas barazimit 1:1 të marrë në fushën e Huddersfield, një ndeshje ku francezi ka bërë një paraqitje zhgënjyese. Megjithatë, Pogba beson se pjesa më e madhe e kritikave që i bëhen atij janë të padrejta dhe se ecuria e jashtëzakonshme e Messit dhe Cristiano Ronaldos ka rritur presionin ndaj kolegëve të tyre. “Futbolli ka ndryshuar shumë”, ka thënë Pogba për revistën “Icon”.  

“Unë jam rritur duke parë kampionë të mëdhenj dhe legjenda si: Del Piero, Figo, Totti dhe shumë të tjerë. Të gjithë kanë fituar, kanë qenë më të mirët në botë, por asnjëri prej tyre nuk shënonte më shumë se 20 gola në sezon. Tani duket se statistikat dhe shifrat janë parametri i vetëm i gjykimit. Kjo është një gjë e mirë nga njëra anë, sepse është pjesë e evoluimit të futbollit modern dhe i dëshirës për të luajtur më shumë me topin".  “Gjithsesi, shpesh harrojmë sa e vështirë është të shënosh më shumë se 20 gola, edhe për lojtarët e mëdhenj.

Ndoshta është më e vështirë në kohët e sotme, sepse diferencat mes skuadrave janë reduktuar, veçanërisht në garat e rëndësishme”, tha ai. “Messi dhe Ronaldo kanë treguar në vitet e fundit, me statistikat dhe shifrat e tyre, se janë përjashtimi që konfirmon rregullin. Nëse një sulmues shënon 10 ose 15 gola sot, ka shumë mundësi që t'i thonë se nuk është e mjaftueshme”, ka thënë Pogba.

 “Nuk duhet të harroni se një lojtar si Pavel Nedved e ka fituar ‘Topin e Artë’ edhe pse skuadra e tij nuk e fitoi Champions League, ose pa shënuar vetë shumë gola. Ai ishte thjesht më i miri në rolin e tij dhe u vlerësua për atë që ishte në gjendje të bënte në fushën e lojës”, ka thënë Pogba.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat