Barcelona përgatit ofertë marramendëse për Pogbën

Futboll

Barcelona përgatit ofertë marramendëse për Pogbën

Më: 15 maj 2019 Në ora: 11:21
Paol Pogba

Barcelona është duke u përgatitur për t’ia ofruar Manchester Unitedit 150 milionë euro për transferimin e mesfushorit Paul Pogba gjatë afatit kalimtar të verës.

Mesfushori francez Paul Pogba raportohet se është i pakënaqur me sezonin e dobët të Manchester Unitedit, tani që klubi e ka të sigurt se do të luajë në Ligën e Evropës sezonin tjetër.

Dhe, sipas Tuttosport, në mënyrë që ta financojnë këtë marrëveshje, gjiganti katalonas është i gatshëm ta shesë  mesfushorin Ivan Rakitic, i cili besohet se do ta vazhdojë karrierën e tij në Serie A.

Ky sezon ka qenë plot më trazira për fituesin e Kupës së Botës me Francën, i cili fillimisht i prishi marrëdhëniet me Jose Mourinhon. Megjithatë, trajneri portugez u shkarkua në dhjetor dhe Pogba e shijoi një ecuri të mirë pas emërimit të Ole Gunnar Solskjaer në pozitën e trajnerit.

Megjithatë, pas triumfit ndaj Paris Saint-Germainit në 1/7 e finales së Ligës së Kampionëve, Pogba dhe Manchester Unitedi iu kthyen formës së dobët. Pas disfatës në ndeshjen e fundit të sezonit, Pogba e pati një zënkë me një tifoz në stadium.

Për Pogban ka shprehur interesim edhe Real Madridi së fundi, mirëpo Barcelona e ka epërsinë në këtë garë, sipas DailyMail, për shkak që kishte shprehur interesim edhe gjatë verës së kaluar.

Megjithatë, si verën e kaluar, Manchester Unitedi nuk pritet ta lejojë shitjen e Pogbës as këtë afat kalimtar, përveç nëse francezi ua kërkon këtë gjë me ngulm dhe ndonjë klub bën ofertë mjaftueshëm të mirë për Pogbën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat