Çerkini: Ferizaj e ka ndeshjen vendimtare në Kastriot 

Futboll

Çerkini: Ferizaj e ka ndeshjen vendimtare në Kastriot 

Nga: Kemajl Goca Më: 15 maj 2019 Në ora: 17:14
Dardan Çerkini

Ferizaj e pret edhe një trepikësh dhe përfundimisht ta sigurojë mbijetesën në elitën e futbollit të Kosovës.  Pesë ndeshjet e fundit pesë fitore rresht apo fituan pikë maksimale bënë që skuadra ferizajas të ikë nga zona e rrezikut.

Pas fitores befasuese në Drenas me rezultat 2:1 kundër Feronikelit, pastaj si vendas e mundën me 3:1 Flamurtarin, më pas triumfuan në Therandë me 4:2 ndaj Ballkanit, në Ferizaj me 3:1 kundër Lirisë dhe së fundi shënuan fitore me 2:1 në përballje me Trepçën ’89 në Mitrovicë, ishin rezultate që befasuan të gjithë dashamirët më të zjarrtë të kësaj loje, veçmas të arrish tri fitore në udhëtim ndaj rivalëve të fortë, është senzacion për një ekip që më shumë probleme e nisi pranverën.

Futbollisti i Ferizajt, Dardan Çerkini, tha se puna dhe angazhimi i të gjithëve ka qenë edhe çelësi i këtij suksesit. Ferizaj kërkon pikë të plota në dy sfidat e fundit, në Kastriot kundër KEK-ut dhe si vendas me Gjilanin. Megjithatë, e tërë vëmendja është për sfidën e nëserme (16.00) në Kastriot, ku kërkojnë pikë të plota e të qetësisë, që definitivisht e largon nga zona e barazhit. 

“Bota sot”: A është Ferizaj më i qetë se në të gjitha javët paraprake para sfidës me KEK-un në Kastriot?
Dardan Çerkini
: Jo, besoj se kjo është ndeshja jonë vendimtare. Ne kemi edhe këtë ndeshje për ta përmbushur qëllimin tonë. E jona është të luajmë lojën tonë, të angazhohem maksimalisht dhe për të arritur pikët e plota. E respektojmë KEK-un por ne luftojmë vetëm për fitore.  

“Bota sot”: Çka e veçojë Ferizajn në gjashtë javët e fundit?
Dardan Çerkini
: Puna dhe angazhimi maksimal i lojtarëve në stërvitje, po ashtu disiplina, kemi arritur që të dalim mirë me rezultate. Pesë fitore rresht janë edhe si fryt i punës, angazhimit të të gjithëve dhe jam i lumtur që i gëzuam edhe tifozët tanë “Ujqit”. 

“Bota sot”: A keni besuar se do t’i ikni barazhit, ku e gjetët forcën?
Dardan Çerkini
: Qëllimi ynë ka qenë të hyjmë në barazh, kur dihet se kemi qenë prapa ekipeve tjera, që besa edhe - 4 pikë nga Liria që renditej në vend të dhjetë. Mirëpo, në pranverë u mobilizuam dhe punuam shumë me trajnerin Bylbyl Sokoli, ku sot jemi shumë mirë dhe vetëm një trepikësh na duhet që ta sigurojmë edhe matematikisht mbijetesën.  E gjithë puna u shpagua dhe i ikëm zonës së barazhit. Megjithatë kemi edhe 2 ndeshje  e duhet që të japim maksimumin që të arrijmë edhe një fitore.

“Bota sot”: Një edicion i mundimshëm!
Dardan Çerkini
: Gjithsesi, kur kihet parasysh ku ishim në renditje dhe vazhdimisht në presion se si të arrijmë në barazh, por ja sot kemi arritur të dalim edhe nga zona e barazhit dhe po presim me qetësi takimin në Kastriot me KEK-un dhe me fitore të jemi të qetë për takimin e fundit me Gjilanin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat