Tifozi godet lojtarin

Futboll

Tifozi godet lojtarin

Më: 17 maj 2019 Në ora: 15:47
Tifozi godet lojtarin

Sunderland është kualifikuar për në finalen play-off në League 1 në Angli, pasi ia doli të shmangte humbjen, në një barazim të luftuar 0-0 të enjten në mbrëmje në Portsmouth. Sunderland kishte fituar 1-0 në vajtje dhe në këtë mënyrë ka marrë hak ndaj Portsmouthit, që e mundi në finalen e EFL Trophy në 31 mars në Wembley, me 30 mijë tifozë të secilës palë në stadium.

Tani në stadiumin mitik kthehet Sunderlandi, që kërkon të lërë mënjanë zhgënjimin e një sezoni ku nuk arriti të renditej në dy vendet e para në League 1, çka do të nënkuptonte ngjitje direkte në Championship.

Klub legjendar, Sunderland është në krizë të thellë prej vitesh dhe këtë vit shpreson të rinisë ngjitjen. Megjithatë, përpara është një finale e madhe kundër fituesit të sfidës Doncaster-Charlton, me këtë të fundit që ka fituar 2-1 vajtjen e gjysmëfinales, në transfertë.

Në Portsmouth më shumë se për ndeshjen, që ofroi pak emocione dhe shumë beteja fizike, bëri bujë jo që i ndodhi mbrojtësit të Sunderlandit Luke O'Nien, i cili ra mes tifozëve gjatë një dyluftimi dhe nga pamjet filmike u pa një tifoz që e godiste. Gjithsesi, O'Nien u largua duke qeshur dhe pas ndeshjes minimizoi gjithçka: "Ishte thjesht një goditje e lehtë, si shtyrje, asgjë për t'u shqetësuar. Ndodhi dhe ishte diçka fëminore, nuk ia vlen të merremi. Edhe kushëriri im i vogël godet më fort se aq".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat