Në Drenas vendoset titulli! Ramadani: Ne luajmë për dy rezultate 

Futboll

Në Drenas vendoset titulli! Ramadani: Ne luajmë për dy rezultate 

Nga: Kemajl Goca Më: 17 maj 2019 Në ora: 16:40
Zekirija Ramadani

Të dielën (me 19 maj) do të vendoset kampioni i ri i Kosovës në futboll! Stadiumi “Rexhep Rexhepi” në Drenas nuk do ta ketë vend për të gjithë të interesuarit për të pa ndeshjen derbi mes Feronikelit dhe Prishtinës, e cila do të luhet në orën 16.00, në kuadër të javës së fundit përkatësisht të 33-të të Superligës së Kosovës. Feronikeli prinë në renditje me 77 pikë, ka dy pikë më shumë se Prishtina që renditet në vend të dytë.

“Niklit” i mjafton një pikë që të shpallet kampion, kurse Prishtinës i kryen punë vetëm fitorja! Kryetrajneri i Feronikelit, Zekirija Ramadani, tha se atmosfera është shumë e mirë, ndërsa ai i Prishtinës, Mirel Josa, do të mundohet me të gjitha forcat për të arritur trepikëshin e madh! Vendasit e kanë përparësinë e terrenit, ndërsa Prishtina beson e shpreson në cilësitë që posedon të futbollistëve. Presioni është te të dyja ekipet, sepse çdo gabim do të jetë i pafalshëm! Drenasi po bën të gjitha përgatitjet e nevojshme për derbin e madh dhe që ajo të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme.  Kryetrajneri i ‘Niklit’ tha se është viti i dytë radhazi që titulli vendoset në fund.

“Dy vite radhazi po vendoset titulli ne xhiron e fundit dhe në këtë aspekt e shoh Prishtinën më me eksperiencë. Por patjetër që ne duam titullin, luajmë para tifozëve tanë dhe luajmë për dy rezultate. Do të jetë një ndeshje e veçantë më shumë luftë sportive dhe shpresoj t’i gëzohemi ne titullit”, thotë Ramadani për gazetën kombëtare “Bota sot”.  A jeni komplet, si dhe cila është gjendja e ekipit, po ashtu edhe përparësitë? “Kemi mungesë vetëm Millakun kurse të tjerët janë të gatshëm për të dhënë maksimumin, luajmë me dy pikë përpara por duhet për ta mbajtur këtë diferencë, na duhet një barazim. Ne do të luajmë për fitore, por në fund edhe barazimi t’i gëzohemi”, përgjigjet Ramadani. ‘Nikli’ nuk e ka ndërmend të futet me formulën e mbrojtjes, por do të sulmojnë.

“Mbrojtja më e mirë është sulmi, kështu e kemi mësuar”, tha Ramadani.  Ndeshja e kampionatit pritet me drithërima, për faktin se vendoset kampioni i ri! Dikush do të gëzohet e dikush do të vajtojë në fund. Është viti i dytë rresht që kampioni përcaktohet në javën e fundit, kështu u vendos edhe në edicionin e kaluar, kur Drita me barazim (0:0) doli kampione në diel me Prishtinën, apo kishte tri pikë më shumë.

IPKO Superliga, java e fundit 
E diel

Ferizaj-Gjilani
Trepça’89-KEK-u
Feronikeli-Prishtina
Flamurtari-Llapi
Ballkani -Drita
Liria-Drenica
Ndeshjet fillojnë në orën 16.00

Liga e Parë, java e fundit
E shtunë

2 Korriku-Ramiz Sadiku
Fushë Kosova-Vitia
Dukagjini-Drenasi
Arbëria-Istogu
Vllaznia-Trepça
Vëllaznimi-Bashkimi (K)
Kika-Besa
Onix-Vushtrria (në Vushtrri)
Ndeshjet fillojnë në orën 16.0o

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat