Historia prej momentit se si erdhi e deri tek largimi nga Juventusit i Allegrit

Futboll

Historia prej momentit se si erdhi e deri tek largimi nga Juventusit i Allegrit

Më: 17 maj 2019 Në ora: 17:11
Massimiliano Allegri

Massimiliano Allegri erdhi në Juventus në mes të korrikut të vitit 2014.

Pesë vjet më vonë, ai po largohet pas shumë kritikave por me 11 trofe të shtuar në kabinetin e tij.

Strategu italian ka kontratë me Juventusin deri në qershor të vitit 2020, mirëpo klubi italian e konfirmoi sot se ai nuk do ta drejtojë skuadrën e “Zonjës së Vjetër” sezonin tjetër.

Allegri u emërua në pozitën e trajnerit të Juventusit në rrethana të çuditshme, pasi që Antonio Conte, i cili e kishte fituar tri herë radhazi titullin e Serisë A, lajmëroi se po largohej nga Juventusi, vetëm dy ditë pasi filloi turneu parasezonal në vitin 2014.

Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli nxitoi për ta gjetur një zëvendësim për Conten dhe e zgjodhi Allegrin, i cili ishte shkarkuar nga Milani në janar të vitit 2014.

Vetura që po e sillte Allegrit dhe Agnellin në kampin stërvitor të Juventusit, për konferencën e tyre të parë të përbashkët, u sulmua nga tifozët, të cilët e gjuanin dhe e pështynin veturën gjatë protestës së tyre të furishme.

Trajneri italian ua fitoi atyre zemrat duke arritur në finale të Ligës së Kampionëve qysh në sezonin e tij të parë, për të mos e përmendur titullin e Serisë A dhe atë të Kupës së Italisë.

Ai vazhdoi duke i fituar gjithsej 11 trofe si trajner i Juventusit, përfshirë këtu pesë tituj radhazi të Serisë A, katër tituj të Kupës së Italisë dhe dy tituj të Superkupës së Italisë.

Allegri po largohet nga Juventusi me 269 ndeshje të zhvilluara deri më tani, prej të cilave 191 i ka fituar, 40 i ka barazuar dhe 38 i ka humbur.

Megjithatë, largimi i hershëm nga Liga e Kampionëve këtë sezon, kundër Ajaxit në çerekfinale, i la të irrituar shumë tifozë dhe drejtuesit e klubit, të cilët i kishin investuar 112 milionë euro për Cristiano Ronaldon verën e kaluar vetëm për ta realizuar ëndrrën e shpalljes kampion i Evropës.

“Unë vetëm po mendoja, imagjinojeni nëse nuk do t’u kisha fituar trofe”, kishte thënë Allegri në konferencën për shtyp të javës së kaluar.

“Ata do të më kishin djegur për së gjalli!”.

Largimi i tij tani po pritet me ndjenja të përziera festimi dhe mërzie, pikërisht ashtu siç kishte ndodhur edhe në momentin kur u emërua në pozitën e trajnerit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat