Nga Barcelona te Pochettino, gjoba e pezullime në Champions

Futboll

Nga Barcelona te Pochettino, gjoba e pezullime në Champions

Më: 18 maj 2019 Në ora: 12:18
Mauricio Pochettino

Komisioni Disiplinor i UEFA-s i ka vendosur një gjobë prej 20.000 eurosh Barcelonës për mungesa organizative në ndeshjen e 11 dhjetorit kundër Tottenham, në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Kjo masë merret për shkak të "organizimit të pamjaftueshëm" të klubit katalanas në atë ndeshje, në përputhje me nenin 11 (1) të rregullave disiplinore. Ky nen shkruan: "Federatat, klubet dhe lojtarët e tyre, zyrtarët dhe anëtarët, të gjithë personat e caktuar nga UEFA për të kryer një funksion, duhet të respektojnë rregullat dhe statutet e UEFA-s, rregulloret, direktivat dhe vendimet; të respektojë parimet e sjelljes etike, besnikërinë, integritetin dhe sportivitetin".

Ajax, po ashtu, është gjobitur me shumën e 52.500 eurove për hedhjen e objekteve dhe incidenteve publike në ndeshjen çerekfinale kundër Juventusit, të luajtur më 10 prill në Amsterdam. Trajneri i Benfica, Bruno Lager, është pezulluar për një ndeshje, sepse ka reaguar ashpër ndaj arbitrit të çerekfinales kundër Eintracht Frankfurt. Klubi portugez gjobitet me 1.000 euro, sepse tifozët kanë hedhur objekte në fushë. Eintracht, nga ana tjetër, është sanksionuar me 34.000 euro për mangësitë e organizimit të ndeshjes dhe përpjekjen e pushtimit të fushës nga tifozët.

Gjobë edhe për Tottenham, në shifrën e 10.000 eurove për sjellje të pahijshme të zyrtarëve dhe trajnerit të “Spurs” në ndeshjen kundër Ajax-it, më 30 prill. Trajneri Mauricio Pochettino është pezulluar një ndeshje (si përgjegjës për vonesën në fillimin e lojës), por ky sanksion pezullohet për një vit (si dënim me provë, nëse pezullohet me një ndeshje tjetër në vijim, do t'i aktivizohet e shtohet direkt edhe pezullimi aktual). Pra, argjentinasi do të jetë në stolin e të tijve, gjatë finales së Ligës së Kampionëve, më 1 qershor, në “Wanda Metropolitano” (Tottenham-Liverpool). 

Porto është gjobitur me 42.500 euro për defektet organizative në ndeshjen kundër Liverpool-it, ndërsa trajneri Sergio Conceicao pezullohet një ndeshje (si përgjegjës për vonesën në fillimin e lojës).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat