Limani: Drita është si një anije e madhe

Futboll

Limani: Drita është si një anije e madhe

Nga: Kemajl Goca Më: 21 maj 2019 Në ora: 11:10
Ardian Limani

Viteve të fundit është përmirësuar infrastruktura sportive, është rritur edhe rivaliteti mes skuadrave dhe po ashtu edhe cilësia është më e mirë në elitën e futbollit të Kosovës. Dëshmia më e mirë janë dy kampionatet e fundit kur në javën e fundit u përcaktua kampioni i ri apo edhe se cila skuadër do të mbetet në barazh. Ndërkaq, Ardian Limani është prej futbollistëve që po kalon periudhë të mirë, sidomos në petkun e Dritës nga Gjilani.  Mbrojtësi është krenar që tash e një kohë mbron ngjyrat e Dritës, veçmas që është kapiten i një skuadre me traditë dhe që ishin kampion në edicionin e kaluar.

Limani përveç me futboll merret edhe me një biznes që i jep edhe më shumë vullnet për punë. Futbollisti mendon se që nga pranimi i Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA gjëra kanë ndryshuar për të mirë dhe ka rritur orekset edhe të klubet, sepse përveç që luftojnë për trofe luftojnë edhe për të siguruar daljen në garat evropiane qoftë në Champions League qoftë në Europa League.

Image

Madje Limani ka pasur një aventurë të mirë me Dritën në garat evropiane në edicionin e kaluar, ku patën treguar lojëra të mira dhe me pak fat sportiv do të shkonin edhe më lartë! Në anën tjetër Drita është prej skuadrave që ka shikues më së shumti, ka një tifozeri të zjarrtë “Intelektualët”, që i japin edhe më shumë zemër për punë Limanit. Ai ka treguar se si i lindi dashuria me lojën e futbollit, a më shumë përfiton me futboll apo me biznesin e ri që e ka hap para një kohe, dhe sipas tij, çfarë duhet ndryshuar më shumë në lojën e futbollit. 

“Bota sot”: Si ju lindi dashuria për futbollin?
Ardian Limani:
Si gjithë fëmijët e kohës sime, gjysmën e ditës e kalonim nëpër fusha të improvizuara, për ne topi ishte lumturia e vetme. Kështu, duke parë aftësitë e mia, prindërit me dërguan në shkollën e futbollit Drita, pra qysh nga fëmijëria jam i dashuruar në topin e futbollit!

Image

Bota sot”: Tash e një kohë në fanellën e Dritës, përjetuat shumë gjëra të mira por edhe keni pasur momente zhgënjyese, cilin moment do ta veçoni si të paharruar?
Ardian Limani:
Mendoj që nëse si përjeton të dyja emocionet, pra si zhgënjimin si gëzimin atëherë s’ke përjetuar asgjë. Padyshim momenti më i lumtur, ndoshta i gjithë jetës time deri tani është titulli i fituar me fanellën e Dritës, e për me tepër si kapiten i kësaj skuadre. Ishte thjesht një ëndërr!
Bota sot”: Sa është vështirë të jesh kapiten i një ekipit siç është Drita, skuadër me renome?
Ardian Limani:
Drita është si një anije e madhe, me shumë emër, e të jesh kapiten i saj është mundësi e rrallë, është privilegj i madh, por edhe barrë e madhe!
Bota sot”: Ardian, me çfarë merresh tjetër krahas si futbollist?
Ardian Limani:
Përveç futbollit, jam pronar i agjensionit turistik “Anik Travel”, e kam hapur vitin e kaluar dhe krahas futbollit tashmë i kushtoj kohë edhe këtij biznesi.
Bota sot”: A më shumë ia ke pa hairin futbollit apo agjencisë?
Ardian Limani:
Futbollit padyshim! Përmes futbollit kam patur mundësi ta hap agjensionin, pra agjensioni është falë të ardhurave nga futbolli. Përveç anës ekonomike, futbolli është edhe edukim, të dhuron shumë shokë, si dhe të mban në formë të mirë shëndetësore!
Bota sot”: Si e sheh nivelin e futbollit në tri vitet e fundit në përgjithësi, a ka ndryshuar dhe për çka më shumë?
Ardian Limani:
Prej pranimit në UEFA dhe FIFA , futbolli ka bërë zhvillim të madh! Cilësia është rritur dukshëm ngase ka pasur ardhje nga kampionate të tjera që e kanë rritur nivelin. Pastaj këtu ka ndikuar edhe përfitimet në rast të daljes në Europë, gjë që ka shtyrë klubet të investojnë më shumë, e investimet kane sjellur cilësi! Edhe në infrastrukture kemi filluar ngadalë të zhvillohemi.
“Bota sot”: A ngas makinën dhe cilën e ke prej tyre për qejfi?
Ardian Limani:
Po, kam një golf 6 sepse është shume i përshtatshëm për tek ne, por me pëlqen më shumë Mercedes CLA!
“Bota sot”: A keni oferta a po do t'i mbeteni besnikë Dritës?
Ardian Limani:
Kam vazhduar kontratën me Dritën edhe një vit. Do të mbetem tek Drita sa më gjatë të jetë e mundur!
“Bota sot”: Çfarë nuk i shkoi Dritës e cila përfundoi në pozitën e katërt në elitë?
Ardian Limani
: Fillimi ishte shumë i dobët, pastaj na u lidhen këmbët duke mos e shfaqur më të mirën tonë. Nuk mund të them më shumë, thjesht nuk na shkoi ashtu siç menduam! 

Image

“Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja përveç futbollit?
Ardian Limani:
Për momentin jam i fokusuar te futbolli, me pas mendoj ta zhvilloj biznesin edhe më shumë, e të vazhdoj me të pasi të përfundoj karrierën!
“Bota sot”: Çfarë iu ka shqetësuar më shumë gjatë këtij edicioni në përgjithësi të Ligës?
Ardian Limani:
Më shqetëson fakti që njerëzit flasin shumë për kurdisje, përderisa nuk kanë fakte. Por, në përgjithësi ka qenë një edicion shumë interesant, e me garë të fortë deri në fund!
“Bota sot”: Çka i duhet më shumë futbollit të Kosovës?
Ardian Limani:
I duhen njerëz të fuqishëm financiarisht, sepse përmes tyre Kosova do t’i sillte këtu edhe lojtarë të huaj, që do ta rrisin edhe më shumë cilësinë. Duhet që klubet me financa shumë të vogla të gjejnë sponsor të fuqishëm. Pastaj në disa stadiume të investohet shumë, si dhe të rritet edhe më shumë shikueshmëria!
“Bota sot”: Brenda Dritës është një shoqëri shumë e mirë, me kë shoqërohesh më shumë nga futbollistët?
Ardian Limani:
Po, kemi një superatmosferë brenda ekipit. Jam tip shumë i shoqërueshëm me të gjithë, por do ta veçoja Erjon Vucajn që është nga Shkodra, dhe me të qëndroj shumë gjatë ditës, sepse ai jeton tani në Gjilan dhe mundohem që ta mbaj afër vetes, por edhe me Shaqirin, Krasniqin dhe Halitin gjithashtu!
“Bota sot”: Drita mbetet pa trofe gjatë këtij vitit, por as nuk u kualifikua në garat evropiane, një zhgënjim?
Ardian Limani:
Nuk do ta quaja zhgënjim, ngase kështu e ka futbolli. 3-4 ekipe luftojnë për titull. Në këtë vit ishin 3 skuadra më të mira dhe s’kemi pse të zhgënjehemi! Vetëm duhet që të marrim mësim dhe vitin e ardhshëm të jemi shumë më konkurrues dhe ta kthejmë titullin në Gjilan!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat