Seedorf: “Milani im? Lojë dhe rezultate të shëlqyera!”

Futboll

Seedorf: “Milani im? Lojë dhe rezultate të shëlqyera!”

Më: 24 maj 2019 Në ora: 08:59
Clarence Seedorf

Mes trajnerëve më të dashur të epokës së re, pas Massimiliano Allegri është sigurisht Clarence Seedorf. Holandezi ishte i pari i përzgjedhur personalisht nga Silvio Berlusconi. Qëndroj te Milan gjashtë muaj dhe i bindi të gjithë… me përjashtim të Adriano Galliani.

Pavarësisht të pikëve të shumta të grumbulluara, drejtuesit kuqezi vendosën ta shkarkojnë, për të thërritur në vend të tij Filippo Inzaghi. Një zgjedhje që nuk u mbështet kurrë nga tifozët e “Djallit”, të cilët, shihnin te ish-mesfushori një dëshirë të madhe për të ndryshuar gjërat për mirë te Milan.

Në momentin kur Seedorf mori drejtimin, Milan ishte pranë zonës së rënies nga Seria A, ndërkohë që e mbylli kampionatin me pikë të barabarta për zonën e Europa League, por nuk u kualifikua për shkak të golavarazhit, me vetëm 1 gol poshtë rivalëve.

“Bëmë një punë të shkëlqyer, në nivel loje sikurse dhe rezultatesh. Kur mora drejtimin Milan ishte katër pikë larg zonës së rënies nga kategoria, ndërkohë që e mbylla kampionatin me pikë të barabarta për të shkuar në Europë, por u dogjëm për diferencën e një goli”, risolli në vëmendje ish-trajneri i Milan.

“Ajo ishte dëshmia që klubi ishte vërtetë në krizë. Madje edhe tani disa probleme nuk janë zgjidhur ende. Mbase ishte momenti i gabuar. Gjithsesi mund të them se isha i lumtur për atë eksperiencë, që kam dhënë kontributin tim në një moment të vështirë”, vijoi Seedorf.

“Besoj se tifozëve u pëlqeu loja e mirë në shumë ndeshje, kishim një identitet të qartë. Ishte konfirmimi që idetë e mia funksionojnë dhe kjo më jep forcën që të vazhdoj përpara si trajner. Me këtë filozofi dhe metodë pune”, përfundoi trajneri holandez që tashmë drejton përfaqësuesen e Kamerunit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat