“Nuk ishte vetëm Ronaldo”; Robben sqaron largimin e vështirë nga Real Madridi

Futboll

“Nuk ishte vetëm Ronaldo”; Robben sqaron largimin e vështirë nga Real Madridi

Më: 24 maj 2019 Në ora: 09:30
Arjen Robben

Arjen Robben thotë se politika e Real Madridit dhe jo vetëm arritja e Cristiano Ronaldos, e detyruan atë që të kishte një largim të vështirë nga klubi i bardhë spanjoll. Megjithatë, holandezi shtoi se lëvizja e tij e mëpasshme te Bayern Munich ishte vendimi më i mirë i karrierës.

Mesfushori 35-vjeçar do të përfundojë angazhimin prej një dekade me kampionët e shumëfishtë të Bundesligës, pas finales së “DFB-Pokal” kundër RB Leipzig, më 25 maj. Kanë qenë 10 vite të suksesshme për Robben, pasi ka fituar shtatë tituj radhazi në Bundesligë (tetë të tillë, gjithsej), së bashku me katër “DFB-Pokal”, pa harruar Ligën e Kampionëve në vitin 2013.

Robben kishte luajtur dy sezone në “Bernabeu”, por rikthimi i Florentino Perez si president çoi në një rishikim masiv të politikave të klubit, përfshirë nënshkrimin e Ronaldos nga Manchester United. Robben ishte njëri nga grupi i asaj kohe, të cilit iu tregua dera. Ai këmbëngul se kishte pak në dorë, në atë situatë, ku vendimmarrja nuk kishte të bënte vetëm me futbollin.

"U bë e vështirë për mua, për shkak të ndryshimit të presidentit të Realit, - tha Robben për “Goal” dhe “SPOX”. - Realisht, ndihesha shumë rehat dhe po luaja mjaft mirë, por kur nuk merr shansin e vërtetë, duhet të analizosh situatën. Duhet të marrësh një vendim, nëse do të vijosh të luftosh, apo do ta vazhdosh karrierën tuaj diku tjetër.

Nuk ishte vetëm Ronaldo, shkaku i largimit tim nga Reali, por edhe Perez, që u kthye si president i klubit. Më pas, ai bleu Ronaldon, por edhe Kaka, Karim Benzema e Xabi Alonso. Reali shpenzoi kaq shumë para, ndaj neve na u tha se duhej të disbursonin të holla. Për mua ishte një turp, sepse kisha një marrëdhënie shumë të mirë me ish-trajnerin Manuel Pellegrini. Përveç kësaj, isha ndoshta në momentin më të mirë të karrierës".

Megjithatë, Robben gjeti një klub tjetër të madh, ku bëri epokë, si Bayern Munich. Ish-sulmuesi i Holandës shpjegoi se interesi i fortë i gjigantit të Bundesligës për të nënshkruar me të u stimulua nga Mark van Bommel dhe Louis van Gaal. Ata të dy e bindën Robben për të lëvizur nga kryeqyteti spanjoll: "Kam biseduar me Mark dhe Van Gaal. Ata më treguan se më kishin në planet e tyre. Të dy më kërkonin: Ejani në Mynih, të lutem!

Mbaj mend se vendimi nuk ishte i lehtë. Ne u ulëm së bashku, si një familje, në tarracën e një lokali dhe biseduam. Në fund të fundit, ishte largim nga një klub i madh si Real Madridi. Për krahasim, Bayerni nuk ishte aq i suksesshëm në Europë, në atë kohë. Qëllimi im kishte qenë gjithmonë për të fituar Ligën e Kampionëve. Dëshiroja të tregoja se isha mjaft i mirë. Në fakt, kalimi te Bayerni rezultoi vendimi më i mirë i karrierës sime".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat