Nëse Jurgen e fiton finalen e 1 qershorit...

Futboll

Nëse Jurgen e fiton finalen e 1 qershorit...

Më: 24 maj 2019 Në ora: 10:44
Nëse Jurgen e fiton finalen e 1 qershorit...

Do të ishte një goditje e rëndë për Jurgen Klopp, në rast të humbjes së finales së dytë radhazi të Ligës së Kampionëve dhe të tretës në total. Pra, kjo do të jetë "e treta e vërteta" për të. Kështu mendon Jose Mourinho për kolegun e vet në stolin e Liverpool-it. “Reds” do të luajnë finalen e dytë radhazi të Champions-it, kundër Tottenham, më 1 qershor, në “Wanda Metropolitano”. Kujtojmë se sezonin e kaluar e humbën 3-1 një finale të tillë përballë Real Madridit. 

Po ashtu, Klopp ka humbur edhe një finale tjetër, më parë, kur drejtonte Borussia Dortmund. Asokohe nuk ia doli kundër Bayern Munich, në finalen gjermane të vitit 2013. Trajneri portugez, që e ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve, tha se një tjetër humbje, do ta dëmtonte shumë reputacionin e Klopp. "Nëse Jurgen e fiton finalen e 1 qershorit, kjo do të ishte një arritje e pabesueshme për të, - tha Mourinho për “Sky Sports”. - Nëse Klopp nuk e fiton…. Ju e dini çfarë do të thotë të humbasësh tri finale të Ligës së Kampionëve. Oh, duhet të jetë me të vërtetë, me të vërtetë e vështirë, por ai është një djalë shumë pozitiv. Jam i sigurtë se është duke menduar vetëm fitoren”.

Trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino, po ashtu është në kërkim të fitimit të trofeut, për të përmbyllur sezonin pozitiv me “Spurs”. Mourinho beson se një fitore në “Wanda Metropolitano” mund të prodhojë një periudhë suksesi të qëndrueshëm për Tottenham: "Spurs” nuk janë fitues titujsh, ndaj triumfi i parë në Champions do të ishte fantastik, mund të sjellë trofe të tjerë të brendshëm. Liga e Kampionëve është më e rëndësishmja. Finalet nuk janë për t’u luajtur, finalet duhet të fitohen!".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat