Milicaj: Superliga është shumë më ndryshe

Futboll

Milicaj: Superliga është shumë më ndryshe

Nga: Kemajl Goca Më: 24 maj 2019 Në ora: 18:58
Mark Milicaj

Dukagjini nga Klina ka realizuar objektivin e madh, pas disa viteve rikthehen në elitën e futbollit të Kosovës. I madh dhe i vogël i gëzohen këtij suksesit të madh dhe me bindje të fortë se Dukagjini do të jetë një ekip jashtëzakonisht i fortë në Superligë. Dukagjini zuri vendin e dytë me 59 pikë, duke arritur 18 fitore, 5 barazime e 7 humbje dhe me goldallim 51:26. Futbollisti i Dukagjinit, Mark Milicaj, tha se me punë e angazhim të të gjithëve, me një harmoni të pashoq brenda kolektivit, dhe me përkrahjen e publikut, ia arritën qëllimit! Milicaj shprehet se nuk ishte e lehtë që të luash në ligën e parë, pasi që infrastruktura nuk ishte në nivelin e duhur në disa stadiume.

“Bota sot”: Pas një kohe të gjatë Dukagjini u rikthye në elitë, cila është atmosferë?

Mark Milicaj: Po, atmosfera është shumë e mirë, ka qenë gëzim i madh për qytetarët e Klinës rikthimi i Dukagjinit në Superligë.

“Bota sot”: Sa ishte e vështirë kjo rrugë?

Mark Milicaj: Ka qenë mjaft e vështirë pasi kemi pas kundërshtar shumë të fortë dhe me emër të madh në futbollin e Kosovës.

“Bota sot”: A keni besuar se do ta realizoni qëllimin, kur kihet parasysh se dy javë pa përfunduar edicioni Dukagjini e humbi sfidën me rezultat zyrtar 3:0 nga Vushtrria?

Mark Milicaj: Po, kemi besuar deri në fund edhe pse jo gjithçka është varë nga ne, pasi që në ndeshjen e fundit jemi varur nga ndeshja ndërmjet Kikës dhe Besës, domethënë jemi varur nga rezultati i asaj ndeshje.

“Bota sot”: Çka e veçojë Dukagjinin nga skuadrat tjera?

Mark Milicaj: Besoj që Dukagjini ka qenë skuadër shumë mikpritëse edhe përkundër që në çdo ndeshje ka pas nevojë për pikë maksimale. Prandaj, gjithmonë çdo skuadër ka kaluar mirë në Klinë.

“Bota sot”: Cila është atmosfera pas këtij suksesit në Klinë?

Mark Milicaj: Atmosfera është e mirë por tash pritet që klubi të reagoi pasi ka nevojë për shumë punë, pasi që Superliga është shumë më ndryshe se liga parë.

“Bota sot”: Sa jeni të kënaqur me kushtet në klub?

Mark Milicaj: Kushtet janë deri diku mirë, por së pari duhet investuar në terren, pasi që ka mangësi, nuk është në gjendje të mirë, jo i përshtatshëm edhe aq për lojë.

“Bota sot”: Një kohë keni luajtur në elitën e futbollit, sa ishte vështirë të luhet në Ligën e parë?

Mark Milicaj: Po, është e vështirë pasi mund të them 50 për qind e terreneve në ligën e parë nuk i plotësojnë as kushtet elementare për të zhvilluar një ndeshje futbolli.

“Bota sot”: Si e sheh Dukagjinin në elitë?

Mark Milicaj: I mbetet shumë punë kryesisë për të bërë, pasi skuadra ka nevojë për investime si në skuadër po ashtu edhe në infrastrukturë gjithashtu duhet organizim shumë më ndryshe që të jetë një skuadër e denjë për Superligë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat