Revolucioni te Milani, pasardhësi i Leonardos sjell edhe lojtarë - Bota Sot
Revolucioni te Milani, pasardhësi i Leonardos sjell edhe lojtarë

Futboll

Revolucioni te Milani, pasardhësi i Leonardos sjell edhe lojtarë

Më: 24 maj 2019 Në ora: 21:04
Luis Kamposin

Leonardo, Zapata dhe Abate do të jenë largimet e sigurta nga Milani menjëherë pas ndeshjes së fundit ndaj SPAL-it. Fondi “Elliott” ka siguruar si pasardhës të brazilianit Luis Kamposin.

Drejtori sportiv i Lilës pritet në Milano javën e ardhshme dhe thuhet se do të ketë dorë të lirë, për aq sa arkat e lejojnë, në ndërtimin dhe zbatimin e strategjisë së klubit në merkato.

Portugezi njihet si “magjistari”, nofkë të cilën e ka fituar falë nuhatjes për të zbuluar talente e për t’i shitur më pas me çmime stratosferike. Lemar i Atletikos e sidomos Mbape janë dy ndër goditjet e tij, por nuk mungojnë edhe emra të tjerë në listën faraonike.

PRURJET – Së bashku me drejtuesin portugez, te Milani mund të mbërrijë edhe ndonjë lojtar. I pari është Nikolas Pepe, që sezonin e fundit te Lila e mbylli me 22 gola. 80 milionë eurot që kërkon klubi francez janë të tepërta, por me Kampos në mes nuk përjashtohen “magjitë”.

Xhonatan Bamba është emri i dytë në listë. Mbrojtës qendre që mbulon edhe krahun e prapavijës. Kosto prej 15 milionë eurosh e bën të përballueshëm për xhepat e “Djallit”, teksa për të krijuar një ide mund të shikoni Europianin U-21, ku ai do të jetë një nga yjet e Francës.

Tiago Mendes (regjisor) dhe Bubakari Sumare (mesfushor) janë dy emra të tjerë që mund t’i hyjnë në punë Milanit kur bëhet fjalë për investime rreth 10 milionë euro.

Njëri me Portugalinë e tjetri me Francën, pritet të jenë gjithashtu protagonistë të Europianit U-21, siç ishin gjatë sezonit me Lilën, e cila u rendit e dyta në Francë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat