PSG e mbyll sezonin me humbje, ‘Këpuca e Artë’ niset drejt Messit

Futboll

PSG e mbyll sezonin me humbje, ‘Këpuca e Artë’ niset drejt Messit

Më: 24 maj 2019 Në ora: 23:18
Lionel Messi, Kylian Mbappe

Skuadra e Paris Saint Germain e ka mbyllur me humbje këtë sezon në Ligue 1, duke u mposhtur në xhiron e fundit të kampionatit.

Në përballjen kundër Reims të Arbër Zenelit, kampionët u gjunjëzuan duke u mposhtur me rezultatin 3:1, në një ndeshje ku kosovari u paraqit për vetëm 20 minuta.

Goli i parë në këtë takim erdhi nga Rahman Baba, i cili shënoi në minutën e 36’ të takimit.

Në pjesën e dytë, ishin përsëri vendasit ata që realizuan të parët, duke tundur rrjetën me anë të Mathieu Cafaro, kur po luhej minuta e 56’. Për Reims realizoi edhe Pablo Chavarria në minutën e fundit.

Golin e vetëm për PSG e realizoi Kylian Mbappe, i cili ishte në ndjekje të Lionel Messi, në garën për ‘Këpucën e Artë’, por i riu francez nuk arriti të bënte më shumë se kaq.

Kështu, Messi do të ketë tri gola më shumë sesa Mbappe në garën për ‘Këpucën e Artë’ e cila praktikisht veçse është vendosur.

Me këtë humbje, PSG e mbyll sezonin me 91 pikë të grumbulluar, kurse Reims në pozitën e 9 me 55 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat