Feronikeli nuk priste një fitore kaq të lehtë

Futboll

Feronikeli nuk priste një fitore kaq të lehtë

Më: 25 maj 2019 Në ora: 00:43
Feronikeli

Feronikeli ka fituar kupën e Kosovës në futboll.

Në ndeshjen finale të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, skuadra nga Drenasi arriti ta mposhtë skuadrën e Trepçës 89 e rezultat të thellë 5 me 1.

Pas ndeshjes trajneri i skuadrës kampione, Zekirija Ramadani u shpreh tejet i lumtur me fitore, duke theksuar se kishin pritur një kundërshtar më të fortë në ndeshjen finale.

Ramadani: Fitore më e lehtë se që e kemi pritur

“Një fitore shumë mirë e the, më shumë se që e kishim pritur, sepse normal finalja është një ndeshje e rëndë, mirëpo pas rezultatit nuk duket e rëndë, por ti shënosh 5 gola Trepçës 89 nuk është një punë e lehtë. Këta futbollistë e bënë atë që duheshin ta bënin, i uroj për fitoren dhe unë mendoj që ndoshta për 5 gola na ndihmoi Trepça që la shumë hapësira mbrapa, rrezikoi tepër në pjesën e dytë. Arritëm ti shfrytëzonim kundërsulmet dy, tre herë, dhe thjesht mendoi që kualiteti ishte në anën tonë. Nuk kishim rrezik në asnjë moment, menaxhuam mirë ndeshjen, Trepça 89 i dëshiroj sukses në barazh dhe shpresoj të shihemi prapë në Superligë vitin e ardhshëm”, tha Ramadani.

Ndërsa lojtari më në formë i skuadrës së Niklit, mbrojtësi Ylli Hoxha pas ndeshjes deklaroi se qysh nga fillimi kishin hyrë për fitore, dhe një gjë e tillë u arritë shumë lehtësisht. Sipas tij tani fokusi i skuadrës do të jetë në garat evropiane.

Hoxha: I shfrytëzuam të gjitha rastet

“Në fakt nuk e kemi pritur që do të arrinim një fitore me këtë rezultat kaq të thellë. Ne jemi qasë në ndeshje maksimalisht të fokusuar që ta fitojmë ndeshjen, mirëpo ja që ndodhi i shfrytëzuam të gjitha rastet. Jam shumë i lumtur me këtë fitore. Pikë së pari duam të pushojmë një jave, sepse jemi lodhur shumë. Ka qenë një kampionat i stërmundishëm, duke marrë parasysh se gjatë gjithë kohës jemi ndjek nga Prishtina dhe Llapi. Shpresojmë që do të pushojmë tani dhe të fillojmë përgatitjet për fazën në Evropë”, u shpreh mbrojtësi i majtë i Niklit.

Futbollisti tjetër, Astrit Fazliu theksoi se para ndeshjes u përfol shumë për disa marrëveshje mes të dyja skuadrave, kinse skuadra e tyre do t’ia lëshonte ndeshjen skuadrës nga Mitrovica, mirëpo sipas tij një gjë e tillë tek skuadra e tyre nuk ndodh.

Fazliu: U përfol për lëshime, por te Nikli nuk ndodhin kësi gjëra

“Ne iu kemi qas ndeshjes vetëm për fitore, ku dihet pastaj që disa zëra kanë qenë para ndeshjes që ne do ta lëshojmë ndeshjen, por ato gjëra nuk ndodhin tek ne. Mendoj që nga fillimi e morëm seriozisht. Gjatë aksioneve shumë të rrjedhshme arritëm që të realizoni shumë herët ku më pas dolëm edhe në atë lojën tonë, të cilën e praktikojmë gjithmonë, me topa në thellësi. Kështu që mendoj që ajo ishte nga fillimi domethënë, serioziteti i madh dhe durimi i bashkëlojtarëve, arritëm të shënonin prapë gola dhe ta mbajmë rezultatin deri në fund”, pohoi Fazliu.

Kujtojmë që Nikli me këtë fitore i bëri nder skuadrës së Prishtinës, e cila kualifikohet për të dytin vit radhazi në kualifikimet për Evropa Ligë, nga pozita e dytë, pasi që Feronikeli ditë më parë festoi edhe titullin e kampionit për këtë edicion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat