Një pjesë e lojtarëve të Kosovës nisin përgatitjet për ndeshjet e qershorit, përfshirë Hadërgjonajn

Futboll

Një pjesë e lojtarëve të Kosovës nisin përgatitjet për ndeshjet e qershorit, përfshirë Hadërgjonajn

Më: 28 maj 2019 Në ora: 20:28
Një pjesë e lojtarëve të Kosovës

Një pjesë e futbollistëve të Kombëtares së Kosovës i kanë nisur të martën pasdite përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese të qershorit për Kampionatin Evropian 2020, përfshirë prurjen e re, Florent Hadërgjonajn.

Pesë prej njëzetepesë futbollistëve të ftuar nga trajneri Bernard Challandes për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë kanë zbritur sot në fushën e gjelbër të stadiumit Fadil Vokrri në Prishtinë.

Kosova do të udhëtojë drejt Podgoricës më 7 qershor për t’u përballur me Malin e Zi, para se ta vizitojë Sofjen për t’u ndeshur me Bullgarinë në dy ndeshjet e Grupit A kualifikues, ku bëjnë pjesë edhe Anglia dhe Republika e Çekisë.

Mbrojtësi i djathtë i Huddersfield Town në Championship, nivelin e dytë të futbollit anglez, u pajis me pasaportë kosovare ditë më parë pasi pranoi ta përfaqësojë kombëtaren verdhekaltër.  

Florent Hadërgjonaj gjatë stërvitjes në Fadil Vokrri

Samir Ujkani, Visar Bekaj, Atdhe Nuhiu, Milot Rashica dhe Florent Hadërgjonaj, të cilët kanë mbërritur në Kosovë më herët se të tjerët, i kanë filluar nën përkujdesjen e trajnerit të përgatitjes fizike, Thomas Richard dhe trajnerit të portierëve, Ahmet Beselica, njofton Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Ata u stërviten kryesisht në aspektin fizik, sipas FFK-së.

Ata do të vazhdojnë stërvitjet edhe në ditët në vijim me lojtarë tjerë që arrijnë në ndërkohë, por stërvitjet e kompletuara do të fillojnë më 2 qershor, pasi ekipi kombëtar të jetë kompletuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat