“Urime Partizanit, por titullin e meritonte Flamurtari”, rrëfehet Veliu: Prisja ftesë nga Reja, kapim Europën

Futboll

“Urime Partizanit, por titullin e meritonte Flamurtari”, rrëfehet Veliu: Prisja ftesë nga Reja, kapim Europën

Më: 28 maj 2019 Në ora: 21:45
Foto ilustrim

Franc Veliu analizon sezonin e Flamur tarit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi evidenton se kuqezinjtë e meritojnë të shkojnë në Kupat e Europës.

Ai hapur e thotë se ndaj Tiranës do të luajnë pikërisht për të blinduar këtë objektiv, duke paralajmëruar kundërshtarin që kërkon medoemos pikë për të siguruar matematikisht mbijetesën. Vlonjati nuk ngurron që të urojë Partizanin për kampionatin e fituar, paçka se thekson se e meritonte Flamurtari titullin këtë sezon. Në fund flet edhe për Kombëtaren, teksa deklaron se priste një ftesë nga trajneri Edi Reja.

Si e mbylli Flamurtari këtë sezon?

Flamurtari këtë sezon po e mbyll në mënyrën më të shkëlqyer. Të gjithë kanë bërë më të mirën. Ka merita pa fund ky grup futbollistësh bashkë me stafin.

A keni marrë garanci për pagat?

Jemi në pritje. Na është premtuar që do të likuidohemi.

Vendimet e gjyqtarëve a kanë qenë tendencioze këtë sezon ndaj Flamurtarit?

Deri diku. Gjithsesi, nuk kanë qenë edhe aq problematikë. Arbitrat kanë aftësinë për të qenë më lart në vendimmarrjet e tyre gjatë lojës.

Luhet me Tiranën ndeshja e fundit, së cilës i duhet vetëm një pikë, mendoni se mund t’i prishni punë?

Ne i kemi “sytë” nga Europa edhe për ambiciet tona. Do të bëjmë ndeshjen tonë dhe do të japim maksimumin. Është një takim i radhës, ku vendoset dhe fati ynë.

Mendoni se do të jeni pjesë e Europës?

Ne kemi shpresuar dhe besuar gjithmonë që do të shkojmë në Ligën e Europës, të paktën nga puna jonë. Është në të mirë të të gjithëve që të jemi në vendet që të çojnë në Europë. Besoj se vendin që të çon në Europë ne do ta arrijmë.

Cila do të jetë e ardhmja e Veliut, do të qëndroni në Vlorë apo…?

Dëshira ime ka qenë gjithmonë që të jem pjesë e ekipit tim të zemrës, që është Flamurtari. Por, futbollit kurrë nuk i dihet. Është ende herët për të folur për të ardhmen, edhe pse interesime ka pasur që tani nga klube të tjera, por Flamurtari mbetet zgjedhja ime e parë në çdo rast.

Partizani është kampioni. Cili është komenti juaj edhe si ish-futbollist i këtij klubi?

Partizanit i uroj suksese dhe ta gëzojë titullin. Edhe pse ndoshta e meritonim ne që të ishim kampionë, por…

E prisnit një ftesë nga Edi Reja për Kombëtaren?

Të them të drejtën, po. Duke parë ecurinë pozitive që kam pasur në këtë kampionat, sinqerisht që e prisja një ftesë nga trajneri i Kombëtares sonë, Edi Reja. Të paktën për fazën e parë, që është ajo e provës dhe jo përfundimtaren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat