Faruk Statovci: Minatori ka fituar në shumë aspekte 

Futboll

Faruk Statovci: Minatori ka fituar në shumë aspekte 

Nga: Kemajl Goca Më: 29 maj 2019 Në ora: 15:53
Faruk Statovci: Minatori ka fituar në shumë aspekte 

Minatori i Magurës nuk ka pasur fat sportiv, skuadër që për një fije të flokut nuk ia doli që të hyjë në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Puna e madhe që ka bërë ish futbollisti i mirënjohur Faruk Statovci, ish reprezentuesi i Kosovës, ka befasuar të gjithë për të mirë.  Statovci tash e një kohë është kryetrajner i Minatorit dhe ka bërë një ekip për lakmi. Minatori përfundoi në vend të tretë me 71 pikë në Ligën e Dytë të Kosovës, grupi B, ngeci për tri pikë nga i pari Ulpiana e Lipjanit dhe dy nga Dardana që zuri pozitën e dytë dhe kishte pesë më shumë se Lepenci i Kaçanikut.  Statovci ka fjalë miradije për vëllezërit Bytyçi, për futbollistët dhe për gjithë fshatin, që po jetojnë me futbollin. Statovci ka oferta si kryetrajner nga disa klube.

“Pas një organizimit dyvjeçar, vitet e fundit jemi organizuar dhe bëmë një ekip, që besoj se ka qenë njëra ndër më cilësoret në ligën e dytë, edhe pse nuk kemi mundur të inkuadrohemi në ligën e parë, mendoj se Minatori ka fituar në shumë aspekte me imazhin e klubit. Kemi arritur të nxjerrim shumë futbollistë që para 6 muajve e kishin lënë futbollin, ndërsa ne kemi arritur t’i kthejmë, edhe i kemi bërë që ata futbollistë të hyjnë në tregun e futbollit të Kosovës qysh sot. Mendoj se merita më të mëdha që i ka klubi i Minatorit shkojnë për futbollistët që për çdo moment kanë treguar angazhim, disiplinë dhe kulturë të madhe sportive, gjë që duhet t’i jemi falënderues gjithnjë ne për ata djem të cilët gjithmonë kanë treguar karakter. Tash dihet që ka përfunduar kampionati, gjithë futbollistët janë me kontratë të vitit të kaluar, pra iu ka skaduar kontrata, mbetet klubi të vendos në vazhdim, për qëllimet apo aspiratat e ardhshme, të njëjtën kohë edhe unë si trajner, pasi e kanë pa shumë klube punën dhe organizimin që e kam bërë në Minatori, kështu që në adresën time kanë ardhur oferta të ndryshme.

Image

Kam oferta nga Superliga që të jem bashkëpunëtor i disa emrave apo trajnerëve të njohur, të njëjtën kohë kam oferta edhe nga liga e parë, nga tri a 4 ekipe, edhe të ligës së dytë, që t’i marr përsipër që t’i udhëheqi ndonjërën nga këto ekipet. Prioritet apo përparësi edhe unë edhe futbollistët kanë te Minatori, pastaj do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë. Një gjë është e vërtet aty ku do të jem pavarësisht se çfarë rangu, ai klub do të lufton për një qëllim: Nëse jem në Superligë për daljen në Evropë, nëse jam liga tjera për ngritje në një rang më të lartë, edhe aty ku do të jem premtoj dhe garantoj se do të ketë punë dhe disiplinë, se vetëm puna dhe disiplina e bie suksesin.

I besoj punës sime dhe nuk i frikohem asnjëherë”, tha Statovci për gazetën kombëtare “Bota sot”. Sa i përket rivalitetit mes katër skuadrave, Statovci mendon se kanë pasur lojën më të bukur. “Mendoj se ka qenë kampionat shumë interesant të të gjitha ligat, po ashtu edhe në ligën e dytë kemi qenë katër ekipe që zhvilluam një kampionat shumë të mirë.

Mendoj se ekipi që u ngjit në rangun më të lartë Ulpiana është ngjitur me meritë, pasi që i ka fituar të gjitha derbit, na ka mposhtur edhe neve edhe Dardanën, ky është realiteti. Sa i përket lojës së futbollit më atraktiv dhe më të bukur, mendoj se ekipi ynë ka qenë dukshëm më i mirë. Sido që të jetë i uroj suksese në Ligën e parë Ulpianës dhe Dardanës në barazh, sepse mendoj se e kanë merituar pozitat ku janë, kurse Minatorit të organizohet dhe mos të zhgënjehet, e ka një të ardhmen, një fond të jashtëzakonshëm e premtues.

Fusha jonë i ngjan Superligës, është punim e sipër dhe për 3 mijë ulëse, donacion i Komunës, e cila po bën jashtëzakonisht shumë për sportin lipjanas edhe në aspektin financiar edhe në infrastrukturën sportive. Krejt në fund, ky sukses i ‘minatorëve’, ky organizim, duhet të shkojë edhe një falënderim për kryetarin vëllezërit Bytyçi, kompania ‘Prishtina e Re’, të cilën e ka marr përsipër ekipin dhe kam besim të plotë se do ta çojnë në rrugën e duhur”, përfundoi Statovci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat