Hazard: Shpresoj të luaj kundër Chelseat në Champions

Futboll

Hazard: Shpresoj të luaj kundër Chelseat në Champions

Më: 30 maj 2019 Në ora: 08:13
Eden Hazard

Ylli belg, Eden Hazardi, mund të mos jetë gati të tregojë se për cilin klub do të luajë sezonin e ardhshëm, por ai tashmë i ka bërë të ditur kundërshtarët që dëshiron t’i ketë në Ligën e Kampionëve.

Anësori e konfirmoi se do të largohet nga Chelsea gjatë këtij afati kalimtar të verës, pasi shënoi dy herë në fitoren 4:1 kundër Arsenalit, në finale të Ligës së Evropës, të mërkurën në mbrëmje.

Hazardi pritet t’i bashkohet skuadrës së Real Madridit këtë verë dhe edhe pse ai nuk ishte gati të tregoj se Real Madridi do të jetë klubi i tij i ri, ai shpreson të përballet me ish-klubet e tij në të ardhmen e afërt.

“Në ditët në vazhdim, largimi im do të bëhet zyrtar. Mendoj se ishte ndeshja ime e fundit, tani gjithçka mbetet mes klubeve, nuk mund të flas për këtë ende”, tha Hazard për RMC Sport, pas ndeshjes.

“Shpresoj se do të përballem me Lille dhe Chelsean sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve”.

Hazardi ka qenë një anëtar tejet i rëndësishëm i skuadrës së Chelseat që kur iu bashkua klubit nga Lille, në verën e vitit 2012. Por, ai ka qenë gjithmonë i përfolur për largim nga klubi londinez, përkundër që thotë se kurrë nuk ka qenë i pakënaqur aty.

“Gjatë shtatë sezoneve të fundit, gjithmonë kam qenë i lumtur. Kam kaluar momente të mirë dhe të këqija, por kënaqësia e të luajturit futboll ka qenë gjithmonë e pranishme. Dhe kur fitojmë trofe, kjo është diçka e mirë për të gjithë”, shtoi Hazard.

“E dua Chelsean. Chelsea është pjesë e jetës time, pjesë e familjes time dhe gjithmonë do t’i përkrah”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat