Pronari i Liverpoolit “thumbon” Coutinhon

Futboll

Pronari i Liverpoolit “thumbon” Coutinhon

Më: 31 maj 2019 Në ora: 11:31
Pronari i Liverpoolit “thumbon” Coutinhon

“Philippe Coutinho ndoshta ndien keqardhje, që e la Liverpool-in”, - thotë njëri nga pronarët e “Reds”, Tom Werner, duke pasur parasysh se ndërkombëtari brazilian ka vuajtur për të lënë shenjën e tij te Barcelona. Gjatë merkatos së dimrit të vitit 2018, ylli nga Amerika e Jugut bëri të qartë se dëshironte ta këmbente eksperiencën e Premier League me atë të La Liga. Në fund të një sage të zgjatur, klubi nga “Anfield” pranoi shitjen e tij për një shumë të madhe parash. 

“Reds” kanë shkëlqyer, duke qenë sfiduesit e Premier League dhe finalistët e Ligës së Kampionëve, ndërsa Coutinho është konsideruar si dështim në “Camp Nou”.  Werner beson se 26-vjeçari tani do të jetë penduar për vendimin e tij, pasi Liverpool ka treguar se mund të tërheqë dhe të mbajë lojtarët më të mirë në botë. "Sa më përket mua, mendoj se nuk ka asnjë arsye, që një lojtar i elitës të mos donte të luante për Liverpool, - tha ai për “Echo”. - Ne kemi një skuadër kaq të fortë, me një financim të fuqishëm dhe një trajner, që është nga më të mëdhenjtë në futbollin botëror. Kësisoji, nuk mendoj se do të ketë ndonjë lojtar, të cilin, nëse do ta ftonim të luante për Liverpool, do ta refuzonte këtë mundësi".

Werner tregoi për një lojtar, që me siguri do ta donte rikthimin në Angli: "Do të tregoja vetëm historinë e Philippe Coutinho. Unë kam vetëm gjëra të mira për të thënë për të. Ai u largua nga Liverpool, sepse donte të luante për një nga dy klubet e mëdha spanjolle. Ne u përpoqëm ta bindim se klubi ynë po lëvizte në drejtimin e duhur dhe se ai mund të përjetonte çaste të mëdha në Ligën e Kampionëve, po të qëndronte te Liverpool. Ndoshta tani ndien keqardhje për atë vendim të tij".

Liverpooli ka shpenzuar shumë në përforcime, që prej largimit të Coutinho, duke marrë në “Anfield” lojtarë si Alisson, Virgil van Dijk dhe Naby Keita. Klopp ka deklaruar se nuk do të ketë përsëritje të shpenzimeve të mëdha këtë verë, por Werner thotë se fondet do të vihen në dispozicion, nëse gjermani identifikon objektivat e duhur: 

“John (Henry), Mike (Gordon) dhe unë do ta përqendrojmë procesin e transferimeve tek ata që e njohin më mirë këtë punë; Jurgen dhe drejtori sportiv, Michael Edwards. Nëse ata na rekomandojnë dikë, atëherë do t’i mbështesim financiarisht. Roli ynë është që ta mbështesim trajnerin dhe njerëzit përreth tij në mënyrën më të mirë që mundemi".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat