Mourinho analizon finalen: Klopp e Pochettino të fokusohen tek këta lojtarë!

Futboll

Mourinho analizon finalen: Klopp e Pochettino të fokusohen tek këta lojtarë!

Më: 31 maj 2019 Në ora: 18:03
Jose Mourinho

Në “On the touchline with Jose Mourinho”, për “Russia Today”, trajneri portugez u ndal të flasë për finalen e Champions League, duke dhënë edhe këshillat e tij.

“Së pari, duhet të bësh gati veten. Lojtarët duhet ta dinë, ta ndjejnë, ta nuhasin se ti je gati. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, tha Mourinho për trajnerët finalistë.

“Finalja është çështje mendësie. Nuk e kam thënë unë, e ka thënë një trajner vite më parë, por finalet janë për t‘u fituar dhe jo për t’u luajtur. Në finale duhet të luash me ndjenjën sikur do të fitosh, duhet të përgatitesh për gjithçka”, vijoi më tej ish-trajneri i Manchester United.

Si gjithmonë, i kujdesshëm dhe maksimalist ndaj detajeve, Mourinho vijon të shtyjë fort në këtë drejtim, madje shtoi se lojtarët e krahut duhet të jenë më të kujdesshëm dhe Klopp e Pochettino duhet t’i përgatisin ata.

“Mbrojtësit e krahut kanë nevojë të dinë për lojtarët e sulmit në krahun e tyre. Nëse je tek Liverpool, duhet të dish gjithçka rreth Moura, Lamela, Son edhe Alli, sepse disa herë edhe ai luan aty. Ke kohë të përgatitesh për çdo detaj.

Kjo është eksperienca ime në katër finale në Europë. Kam shfrytëzuar çdo minutë të asaj jave për të përgatitur skuadrën për të ulur paparashikueshmëritë. 

Sepse lojtarët do të kenë mjaftueshëm tension në vetvete. S’ka lidhje eksperienca, ata do ta ndjejnë presionin, sepse nuk është një ndeshje normale.

Nëse arrin të iu japësh qetësinë mendore, por edhe bazën taktike, atëherë ke ulur nivelin e presionit, rrit nivelin e besimit dhe je më afër drejt fitores”, analizoi portugezi.

Mourinho kujton se në finalen e Interit ndaj Bayern Munich lojtarët donin të dinin gjithçka: a kishte bileta për familjarët e tyre? A do ketë avion për familjarët e tyre? A do qëndrojnë në hotel pas ndeshjes? Për këto ai tha se bëri një mbledhje urgjente me drejtuesit e klubit dhe zgjidhi gjithça, duke iu dhënë qetësinë lojtarëve që të mendojnë vetëm për ndeshjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat