Fabregas shkruan letër prekëse për Reyes, që vdiq sot në një aksident trafiku

Futboll

Fabregas shkruan letër prekëse për Reyes, që vdiq sot në një aksident trafiku

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 17:19
Fabregas dhe Reyes

Cesc Fabregas i është bashkuar pjesës tjetër të botës së futbollit, duke e shprehur pikëllimin e tij pas lajmit për vdekjen tragjike të ish-yllit të Arsenalit, Jose Antonio Reyesit.

Ish-futbollisti i Real Madridit, Arsenalit e shumë klubeve tjera, José Antonio Reyes, ka humbur jetën këtë të shtunë në një aksident trafiku në vendlindjen e tij në moshën 35-vjeçare.

Reyes e ka veshur fanellën e Realit në sezonin 2006/07. Ai ishte huazuar nga Arsenali dhe për një sezon, bëri 38 paraqitje dhe shënoi 7 gola. Për Arsenalin ai ka luajtur tre sezone, për Atletico Madridin katër sezone – derisa pjesën më të madhe të karrierës e kaloi të klubi i fëmijërisë, Sevilla.

Ish-mesfushori i Arsenalit, i cili luajti përkrah Reyesit edhe në klub edhe në ekip kombëtar, i shfrytëzoi llogaritë e tij në rrjetet sociale për ta shprehur pikëllimin e tij ndaj lajmit për vdekjen e Reyes.

“Shoku im i parë i mrekullueshëm në botën e futbollit. Bashkëlojtari im në ekipin kombëtar, që gjithmonë dëshironte të flinte në temperature -10 gradë celsius. Një djalosh i përulur, i cili gjithmonë e kishte një buzëqeshje të madhe në fytyrë. Një futbollist i madh dhe një person fenomenal”, shkruan Fabregasi.

“Nuk mund të isha zgjuar në mënyrë më të keqe sonte. Nuk do ta harroj kurrë kohën kur ti dhe familja jotë më sollët në shtëpinë e juaj për Krishtlindjet e mia të para në Angli, kur unë isha i vetëm dhe 16-vjeçar. Nuk do t’i harroj kurrë lojërat tonë, futboll e tenis, para dhe pas stërvitjeve”.

“Lidhja jonë në fushë ishte gjithashtu shumë e veçantë, pasi që ka qenë gjithmonë e lehtë të gjejë ty në fushën e blertë, në mënyrë që ti të mund ta bësh dallimin”.

“Unë gjithmonë them se ti ishe njëri ndër talentet më të mëdha në futboll dhe e di se nuk e kam gabim. Para dy ditëve, unë fola për ty në një intervistë. Ndoshta ishte shenjë, kush e di, për të kujtuar ty, shoku im”.

“Nuk do të harroj kurrë, ne nuk do të harrojmë ty kurrë. Do të jesh gjithmonë në zemrat tona. U prefsh në paqe, Jose Antonio Reyes, të dua shumë”.

Reyes i luajti gjithsej 110 ndeshje në të gjitha garat gjatë kohës së tij në Arsenal, kur i shënoi 23 gola dhe e fitoi titullin e Premierligës dhe të FA Cup. AI gjithashtu e fitoi edhe Community Shield dhe ishte nënkampion i Ligës së Kampionëve me Arsenalin në vitin 2006.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat