Kur ishte hera e fundit që Muriqi shënoi gol për Kosovën?

Futboll

Kur ishte hera e fundit që Muriqi shënoi gol për Kosovën?

Më: 3 qershor 2019 Në ora: 16:32
Vedat Muriqi

Vedat Muriqi është futbollisti më në formë aktualisht në përfaqësuesen e Kosovës.

Muriqi përfundoi një sezon fantastik me klubin e tij Rizespor në Superligë të Turqisë, madje sezoni i tij më i mirë në karrierë.

Sulmuesi shtatlartë nga Prizreni ka shënuar 17 gola dhe dhuruar tetë asistime duke qenë një nga futbollistët kryesor të skuadrës turke.

Vedati po ashtu është shndërruar edhe për përfaqësuesen e Kosovës. Është një ndër  futbollistët kyç të përzgjedhësit Bernard Challandes, duke qenë si sulmues kryesor i epokës të trajnerit zviceran.

Por, 25 vjeçari për “Dardanët” në 18 paraqitje ka shënuar vetëm katër gola dhe një asistim.

Ai në eliminatoret e “Russia2018” ishte paraqitur në gjashtë ndeshje por nuk kishte arritur të gjente golin. Ndërsa, në kuadër të Ligës së Kombeve në gjashtë ndeshje ka shënuar dy gola.

Që të dy golat i ka shënuar ndaj kombëtares së Maltës në fitoret e Kosovës  3:1 dhe 0:5. Një detaj interesant është se ai ka shënuar të dy golat në të njëjtën minutë 83’.

Ndryshe, Muriqi ishte titullar edhe në ndeshjen e parë të eliminatoreve për kampionatin evropian kundër Bullgarisë por që nuk shënoi gol.

Muriqi për Kosovën kishte debutuar në ndeshjen historike ndaj Finlandës, ndeshje e cila kishte përfunduar me barazim 1:1 në kuadër të eliminatoreve për “Russia2018”.

Kosova dy ndeshje e radhës do t’i zhvillojë si mysafir kundër Malit të Zi më 7 qershor dhe Bullgarisë me 10 qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat