Zyrtare: Gjyqtarë italianë për ndeshjen Mali i Zi – Kosova

Futboll

Zyrtare: Gjyqtarë italianë për ndeshjen Mali i Zi – Kosova

Më: 4 qershor 2019 Në ora: 15:17
Daniele Orsato

Tashmë janë zgjedhur gjyqtarët që do ta ndajnë drejtësinë në ndeshjet e Kombëtareve gjatë qershorit dhe ndeshjen mes Malit të Zi dhe Kosovës do ta referojnë gjyqtarë nga Italia.

Gjyqtar kryesor për përballjen mes malaziasve dhe “Dardanëve” do të jetë Daniele Orsato, ndërsa ndihmës të tij do të jenë Lorenzo Manganelli dhe Giorgio Peretti. Detyrën e gjyqtarit të katërt do ta kryej Michael Fabbri.

Orsao i ka referuar tri ndeshje të Malit të Zi në karrierën e tij, dy prej të cilave malaziasit kanë pësuar disfatë. Për herë të parë e referoi ndeshjen mes Malit të Zi dhe Moldavisë, më 22 mars të vitit 2013. Kjo është ndeshja e vetme që Orsato e ka referuar dhe Mali i Zi e ka fituar.

Dy ndeshjet e radhës, më 9 tetor të vitit 2015 kundër Austrisë dhe më 8 tetor të vitit 2017 kundër Polonisë, Mali i Zi i humbi, respektivisht me rezultat 3:2 dhe 4:2. Ai e ka ndëshkuar vetëm një herë një lojtar të Malit të Zi me karton të kuq.

Më 2 qershor, ekipi kombëtar i Kosovës i filloi përgatitjet për ndeshjet e qershorit, ku Kosovës do t’i mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm për shkak të lëndimeve, si Hekuan Kryeziu e Valon Berisha.

Kosova fillimisht do të përballet me Malin e Zi në Podgoricë të premten, e pasaj, tri ditë më vonë, “Dardanët” do të udhëtojnë në Sofje për përballjen me Bullgarinë. Që të dyja këto ndeshje zhvillohen në kuadër të Grupit A të kualifikimeve në EURO 2020.

Edhe pse do të jetë vendase, Mali i Zi s’do ta ketë përkrahjen e tifozëve në stadium për ndeshjen kundër Kosovës, pasi që malaziasit janë dënuar nga UEFA ta zhvillojnë një ndeshje pa tifozë për shkak të thirrjeve raciste në ndeshjen e kaluar, kundër Anglisë.

Kosova mund të kualifikohet në EURO 2020 nëse e zë njërin nga dy vendet e para në Grupin A. Nëse dështon në këtë rrugë, Kosova e ka edhe një mundësi tjetër, përmes play-offs për kualifikime, ku e siguroi një vend në gjysmëfinale përmes triumfit në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat