Ajeti: Ne luajmë për kombin tonë 

Futboll

Ajeti: Ne luajmë për kombin tonë 

Më: 4 qershor 2019 Në ora: 16:25
Ajeti e Cikalleshi

Futbollistët e Shqipërisë, Sokol Cikalleshi dhe Arlind Ajeti, janë të vetëdijshëm për cilësitë e rivalëve në kualifikueset për Kampionatin Evropian 2020.  Sfida më e vështirë është në konak të Islandës, e cila do të zhvillohet me 8 qershor, ndërsa me 11 qershor në “Elbasan Arena”  presin fitore ndaj Moldavisë. “Të jesh në Kombëtare është gjithmonë kënaqësi dhe të kontribuosh për kombin tënd është nder. Po punojmë me intensitet të lartë dhe shihet qartë që si stafi dhe ne lojtarët, jemi të një mendjeje. Uroj që këtë punë ta konkretizojmë me rezultat kundër Islandës.

 Në dy grumbullimet e vitit të kaluar me Panuccin, kam qenë i pafat, pasi isha i dëmtuar. Dihet si shkuan gjërat me Panuccin, duhet ta lëmë pas dhe të nisim një kapitull të ri. Duke iu referuar sistemit të ti të Rejas, sulmuesit kanë më shumë përparësi për të luajtur. Nga 4 sulmues, do të luajmë dy, pavarësisht se varet sesi shkojnë gjërat. Ne kemi qenë gjithmonë një grup i harmonizuar dhe nuk kemi patur probleme, kushdo që ka luajtur ne e kemi mbështetur. Luan Sadiku, Balaj, Uzuni apo unë, mbështetja do të jetë maksimale. Harmonia dhe fryma pozitive e krijuar do të na ndihmojnë shumë në dy ndeshjet e radhës. Kam shënuar dy gola me Kombëtaren dhe shumë shtylla, por nuk kam mbetur i pakënaqur. Duke qenë se do të luajmë me dy sulmues shanset janë për të qenë afër portës. Goli nuk është qëllim në vetvete, me shumë kanë rëndësi rezultatet”, tha Cikalleshi. Ajeti mendon se do të jenë të gatshëm për te dyja sfidat.

“Jemi duke u stërvitur me intensitet dhe më duket shumë mirë çdo gjë deri tani. Atmosfera mes stafit dhe mes lojtarësh ka qenë shumë e mirë, diçka që na ka munguar për një kohë të gjatë. Ne si lojtarë në çdo ndeshje mundohemi të japim maksimumin dhe pavarësisht trajnerit ne luajmë për kombin tonë. Nuk kam një përgjigje, nuk e di pse ka qenë kështu mbrojtja. Ka pasur ndeshje që nuk kemi luajtur mirë në mbrojtje apo në sulm, por janë të gjithë fajtorë dhe shpresoj që ndeshjet e ardhshme do të përmirësohemi. Të luajturit me zemër duke mbrojtur mirë është forca jonë, duke dhënë gjithçka kemi. Trajneri na ka dhënë diçka ekstra dhe do mundohemi t’i zbatojmë detyrat që na jep trajneri”, tha Ajeti. Shqipëria është në grupin H me Francën, Turqinë, Moldavinë, Islandën dhe Andorrën. Shqipëria deri me tash ka zhvilluar dy ndeshje në grup, ka një fitore e një humbje, duke u renditur në vend të tretë me 3 pikë, tri me pak se Franca dhe Turqia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat