Nga “ferri” në “parajsë”, trajektorja e pabesueshme e Shaqirit në një vit

Futboll

Nga “ferri” në “parajsë”, trajektorja e pabesueshme e Shaqirit në një vit

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 12:26
Nga “ferri” në “parajsë”, trajektorja e pabesueshme e Shaqirit në një vit

Karriera e Xherdan Shaqirit ka marrë një kthesë radikale në pak më shumë se një vit. Në 392 ditë, ai ka zbritur nga Premier League me Stoke City dhe ka fituar Ligën e Kampionëve me Liverpool. Sidoqoftë, nuk mbaron këtu. Tani synon të kalojë me sukses edhe gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve me Zvicrën. Jurgen Klopp nuk i dha asnjë minutë aktivizim në finalen e madhe të “Wanda Metropolitane”, por, edhe kështu, ai mbante një buzëqeshje “nga veshi në vesh”, kur festonte si kampion Europe me “Reds”. 

Një eksperiencë, që nuk e shijonte për herë të parë, ndryshe nga lojtarët e tjerë të Liverpool-it, sepse shqiptari e kishte fituar Champions-in edhe sa ishte pjesë e gjigantëve bavarezë. "Është një histori e pabesueshme, që i ndihmon njerëzit të shohin se çfarë mund të ndodhë në botën e futbollit. Jam shumë krenar", - rrëfeu “Shaq” për “MARCA”, e cila i kushton sot një shkrim 27-vjeçarit:

“Fitimi i Champions-it, megjithatë, nuk është diçka e re për Xherdanin. Ai tashmë e kishte shijuar këtë trofe me Bayernin, në sezonin 2012-2013. Ai bëhet, së bashku me Sforza (nga 2 Champions), zviceranët me më shumë trofe të këtij lloji në palmaresin e tyre. Henchoz dhe Chapuisat vijnë pas (nga 1 Champions). “Shaq” e përshkruan kështu triumfin e 1 qershorit: "Ta fitoj këtë titull përsëri, me këtë ekip, është një ndjenjë e pabesueshme. Liverpool është i madh dhe meriton të fitojë tituj të tjerë të tillë përsëri. Champions-i i mungonte këtij ekipi që nga viti 2005, por ne e kemi kthyer përsëri".

Para një sezoni ishte titullar absolut te Stoke City, ndaj ra në sytë e Jurgen Klopp, që e mori në “Anfield”. Aty e ka justifikuar besimin, edhe pse nuk ka luajtur rregullisht, me 6 gola të shënuar dhe 5 asiste. Shtatshkurtri ka falënderime për trajnerin Klopp: "Nuk kam luajtur shumë, por mendoj se kam bërë më të mirën, kur kam qenë në fushë. Kemi zhvilluar ndeshje të paharrueshme, si gjysmëfinalja e kthimit me Barcelonën, për shembull. Jam shumë krenar që jam i përfshirë në këtë titull dhe këtë sukses”. 

Megjithatë, te Zvicra është titullar i padiskutueshëm. Ajo që ylli i kombëtares helvete shpreson të bëjë është ndryshimi, për të fituar titullin e tij të parë me "Nati”. "Do të ishte e veçantë për ta fituar Ligën e Kombeve. Ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën, pa u trembur nga rivalët, duke filluar me gjysmëfinalen kundër Portugalisë. Do të jetë e vështirë, por gjithçka është e mundur në futboll", - thotë Shaqiri, i cili ka shënuar 22 gola në 80 ndeshjet, që ka luajtur prej debutimit me Zvicrën në vitin 2010. 

Ai e di se për çfarë po flet. Në një vit kalendarik ka kaluar nga “ferri” në “parajsë”, nga zbritja në nivelin e dytë të futbollit anglez te shpallja kampion Europe. Shaqiri nuk është lojtari i vetëm i Liverpool, i angazhuar me Ligën e Kombeve. Pesë lojtarë të tjerë të “Reds” mund t’i përmendim si ai: Alexander-Arnold, Joe Gomez dhe Henderson (Angli); Van Dijk dhe Wijnaldum (Holandë)”.  Shkruan Alfred Lleshi, telesport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat