Skënderbeu “prenoton” portierin e Kombëtares, gati firma. Kontratat i mban “peng”… KAS-i

Futboll

Skënderbeu “prenoton” portierin e Kombëtares, gati firma. Kontratat i mban “peng”… KAS-i

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 09:30
Portieri

Skënderbeu duket se ka gjetur portierin e duhur për sezonin e ri, por për të konkretizuar gjithçka, duhet pritur edhe dy javë pas daljes së vendimit zyrtar nga ana e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

“Panorama Sport” zbulon se klubi bardhekuq ka nisur bisedimet me portierin e Laçit, Gentian Selmani. Ky i fundit është tashmë edhe pjesë e Kombëtares, ndërsa ka qenë një dëshirë e vjetër e Skënderbeut, por që nuk është realizuar dot edhe për faktin se 20-vjeçari është penguar nga Laçi.

Te Skënderbeu prej kohësh kanë nisur të konsiderojnë Selmanin si pasuesin e denjë të Orges Shehit, por diçka e tillë nuk është realizuar edhe për shkak të dënimit që klubi mori nga UEFA. Në këto kushte, klubi nuk insistoi dhe u besoi të rinjve Teqja dhe Dajsinani. Gjithsesi, me pritjen e vendimit të KAS dhe optimizmin në kampin bardhekuq, mësohet se tashmë bisedimet kanë rifilluar.

Selmani do të ishte një garanci më shumë për Skënderbeun për sa i përket portës, sepse që prej largimit të Orges Shehit, paraqitja e portierëve në sezonin që lamë pas është vënë shpesh në shënjestër. Me një vendim pozitiv nga KAS, Skënderbeu do të niste valën e përforcimeve dhe gjithçka do të fillonte nga porta. Natyrisht që një afrim i Selmanit do të blindonte portën, duke pasur kështu një garanci të madhe.

Image

 

TË TJERËT

Përveç portës, Skënderbeu është duke projektuar edhe afrime të reja për sa i përket sezonit 2019-2020. Pavarësisht se për momentin gjithçka është lënë pezull si pasojë e marrjes së vendimit përfundimtar nga ana e KAS, kjo nuk ka penguar drejtuesit të nisin kontaktet me disa futbollistë.

Në krye të listës qëndrojnë dy mesfushorët e Luftëtarit, Albano Aleksi dhe Behar Ramadani. Këta të fundit pëlqehen shumë nga stafi i korçarëve, ashtu si edhe braziliani Roxher Xhunior që mbylli sezonin me Kastriotin.

Një tjetër lojtar në planet e Skënderbeut është edhe mbrojtësi i djathtë, Lukman Husein, që gjithashtu ishte pjesë e krutanëve. Tashmë, në Korçë presin me ankth vendimin që do të marrë KAS më 21 qershor, nga ku shpresohet shumë për një rrëzim të dënimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat