Trajneri i Holandës nuk e kursen Van Dajkun

Futboll

Trajneri i Holandës nuk e kursen Van Dajkun

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 12:54
Trajneri i Holandës nuk e kursen Van Dajkun

Ronald Kuman thotë se e ka bërë planin për gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve kundër Anglisë sot në Guimaraesh me dy heronjtë e Liverpulit, Virxhil Van Dajk dhe Xhorxhinio Vajnaldum.

Trajneri i “tulipanëve” tha në konferencën për shtyp se nuk ka asnjë arsye përse t’i kursejë dy fituesit e Champions-it për shkak të lodhjes, sepse ajo nuk ndihet kur fiton. “Ata janë që të dy optimistë dhe të sigurt për ndeshjen kundër Anglisë. Nëse vazhdon të jetë kështu, atëherë unë do luaj me skuadrën më të fortë të mundshme dhe ata janë pjesë e saj”, tha Kuman, i cili bëri një paralelizëm me veten e tij kur fitoi Kupën e Kampionëve dhe titullin me PSV-në dhe qershia mbi tortë ishte kampionati Europian me Holandën.

“Trofetë të japin shumë besim. Dhe prej tyre mund të fitosh shumë. Kur fiton, nuk je i lodhur”. Në lidhje me pozicionet e tjera në fushë, Kuman tha se nuk mund të tregonte shumë gjëra, por nënvizoi se pjesa tjetër e formacionit mund të zbulohej fare kollaj. “A do të ketë surpriza? Jo. Unë jam shumë i hapur, por nuk do të them më shumë për të”.

Pastaj elozhet për skuadrën e Sauthgejtit: “Do të luajmë kundër një skuadre shumë të fortë, por ne mendojmë se mund të fitojmë. Vitin e shkuar edhe unë i bëra pyetjen vetes se çfarë kompeticioni është ky? As fituesi nuk kualifikohet direkt në Europian. Por ne kemi luajtur një rol të rëndësishëm. Ishim në një grup të shkëlqyer, me Francën dhe Gjermaninë. Dhe mund ta shikoni sesa serioz u bë ky turne. Tani ne duam ta mbyllim mirë dhe ta fitojmë”.

Pastaj një analizë për skuadrën e tij: “Na u deshën disa ndeshje për të përcaktuar modulin më të mirë. Gjatë sezonit ka pasur zhvillime me lojtarët, si pozitivisht ashtu edhe negativisht. Është normale në një ekip kombëtar që të kesh shumë alternativa. Unë nuk e shoh të vështirë që të marr vendime se cili duhet të luajë. Kjo është detyra ime. Pse Depaj shkëlqen me kombëtaren? Memfis është një lojtar që ka nevojë për liri. Ai nuk është një sulmues krahu që duhet të qëndrojë në atë pozicion. Sepse ai është i shpejtë dhe i fortë. Ai ka nuhatje goli. Kështu që nëse i jep më shumë liri, do të luajë më mirë. Dhe nëse ai luan më mirë, ai do të bëhet më efikas për skuadrën”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat