Jovici, pasi u transferua në Real Madrid: Ëndrra ime është bërë realitet

Futboll

Jovici, pasi u transferua në Real Madrid: Ëndrra ime është bërë realitet

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 15:56
Sulmuesi serb Luka Jovic

Sulmuesi serb Luka Jovic i tha lamtumirë Eintracht Frankfurtit përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, pasi iu bashkua Real Madridi për 60 milionë euro. Ai shtoi se ëndrrat e tij tani janë bërë realitet, pas këtij transferimi.

Luka Jovic kaloi nga klubi i Bundesligës, Eintracht Frankfurit, te Real Madridi, ku tani ka nënshkruar pesëvjeçare. Për t’i siguruar shërbimet e tij, “Los Blancos” u detyruan t’i paguajnë 60 milionë euro.

Sulmuesi 21-vjeçari i la gjurmët e tij në Evropë gjatë sezonit 2018/19, duke i shënuar 17 gola në Bundesligë, si dhe dhjetë të tjera në rrugëtimin e paharrueshëm të Frankurtit deri në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.

Jovici, i cili iu bashkua fillimisht Frankfurtit si huazim në vitin 2017 dhe pastaj u ble nga gjermanët në prill, i tha lamtumirë klubit gjerman.

“Të dashur tifozë të Eintrachtit, siç e keni lexuar tashmë, unë do të transferohem në Real Madrid. Natyrisht, do të më pëlqente ta shfrytëzoja këtë mundësi për t’ua thënë disa fjalë juve”, shkruan Jovici.

“I shijova me të vërtetë këto dy vjetët e mia në Frankfurt. I takova shumë njerëz të mrekullueshëm dhe luajta në një klub fantastik. Tifozët e bënë përvojën time edhe më të veçantë”.

“Ne mund të jemi krenar me arritjet tona. Nuk do ta harroj kurrë këtë sezon të Ligës së Evropës me juve. Pjesa më e mirë ishte natyrisht Kupa e DFB-së 2017/18, kur fituam në Berlin. Për këtë arsye nuk e kam të lehtë të largohem nga Frankfurti”.

“Megjithatë, Real Madridi e hap një derë shumë të madhe për mua, për t’u bërë futbollist edhe më i madh. Çdo fëmijë ëndërron të luajë për këtë klub. Ëndrra ime është bërë realitet tani”.

“Do të doja ta falënderoj të gjithë klubin dhe tifozët e mrekullueshëm. Faleminderit që ma keni dhënë mundësinë ta zhvillojë personalitetin tim. Faleminderit për mbështetjen tuaj! Gjithmonë do të keni vend në zemrën time! Luka juaj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat