Dermaku flet para ndeshjes me Islandën, tregon si po ecën me trajnerin e ri

Futboll

Dermaku flet para ndeshjes me Islandën, tregon si po ecën me trajnerin e ri

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 20:01
Kastriot Dermaku

Qendër mbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë, Kastriot Dermaku, është shprehur me një dozë optimizmi para ndeshjes së kombëtares ‘Kuq e zi’ me Islandën

Dermaku i cili la kombëtaren e Kosovës për atë të Shqipërisë ka thënë se atmosfera në grupin ‘Kuq e zi’ është shumë e mirë para ndeshjes me Islandën, dhe se skuadra po përgatitet mirë.

“Ambienti është shumë i mirë dhe jemi duke punuar me intensitet, për të përgatitur sa më mirë ndeshjen me Islandën. Personalisht jam duke u ambientuar shumë mirë si me grupin, ashtu edhe me stafin teknik”, tha Dermaku për ‘SuperSport’.

“Me rëndësi është të japim maksimumin në stërvitje dhe të jemi gati për të dhënë më të mirën, nëse na vjen shansi të zbresim në fushë”, tha mbrojtësi, kur u pyet nëse do të jetë i gatshëm për pozitën e titullarit.

Ardhja e trajnerit të ri, Edy Reja, ka treguar edhe ndryshimet e para, ku ndër të tjerash pritet që faza e mbrojtjes të përbëhet nga tre lojtarë, por kjo nuk duket të jetë problem për Kastriotin.

“Kam, luajtur edhe me 3, edhe me 4 në mbrojtje dhe jam ndjerë mirë në të dy skemat. Rëndësi ka që të gjithë ekipi të japë maksimumin në të gjitha fazat e lojës. Nuk është skema ajo që bën diferencën, por besoj se kemi mundësi të bëjmë shumë mirë”, tha futbollisti që luan me Cozenca.

Ndër të tjerash, para sfidës me Islandën, Dermaku zbuloi edhe planet e tij për të ardhmen, në nivel me skuadra.

“Nuk besoj se do rri më te Cozenca. Më mbaron kontrata tani në qershor dhe jam në bisedime me disa klube të Serisë A, por edhe skuadra turke. Megjithatë besoj që do të mbetem në Itali”, deklaroi Dermaku ndër të tjerash.

Shqipëria do të luajë në udhëtim kundër Islandës më 8 qershor, në ndeshjen që do të jetë e vlefshme për kualifikueset e Euro 2020.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat