Shqipëria synon kthesën e madhe

Futboll

Shqipëria synon kthesën e madhe

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 15:44
Shqipëria synon kthesën e madhe

Festa e Andi Lilës në Europian, pas golit të Sadikut, 2 vjet e gjysmë më pas duket si një kujtim i largët për Shqipërinë e futbollit. Skuadra që u kualifikua në “Francë 2016” dhe që arriti dhe një fitore në një kompeticion kaq madhor u mendua se do të kishte një bashkëjetesë të gjatë me suksesin, por në dy vjet e gjysmë kombëtarja u kthye dekada mbrapa. Ish-trajneri i kuqezinjëve Christian Panucci e pa si të arsyeshme që Shqipëria kishte nevojë për një revolucion, në fakt kjo tentativë për të bërë diçka më të mirë, rezultoi një lëvizje totalisht e gabuar që e ktheu kombëtaren në vitin zero.

Sidoqoftë jo më kot thonë se shpresa vdes e fundit e në fakt të gjithë presim një rikthim të kombëtares që mbush me shpresë dhe emocione një komb të tërë. Ndaj Islandës do të nisë epoka e Edy Rejas. Puna e tij në drejtim klubesh flet më shumë se fjalët. Personazh karizmatik që të paktën me aq sa dhe vetë lojtarët e kanë pranuar, 73-vjeçari ka sjellur një frymë pozitive në  skuadër. Kërkon disiplinë në stërvitje, miqësor me ta në fundin e përgatitjeve. Teknikut i është dashur të punojë shumë me kombëtaren jo vetëm në aspketin taktik por sidomos edhe në atë psikologjik.

Për shkak të klimës jo të mirë që u krijua në ambjentin kuqezi, gjëndja reflektohej edhe në fushë. Reja vetë e ka pranuar një gjë të tillë, ndërsa lojtarët janë shprehur se puna e italianit ka dhënë efektet e veta, harmonia është ulur sërish në folenë e shqiponjave. Përballë është Islanda, skuadër që i ka treguar shumë botës së futbollit edhe pse një vend i vogël me një popullsi prej gati 340 mijë banorësh mundi të siguronte pjesëmarrjen në Botëror. Kanë një tifozeri të veçantë të cilët janë kthyer në qëndër të vëmëndjes dhe model  për shkak të performancës së tyre në shkallët e stadiumit.

Statistikat nuk na favorizojnë, 5 përballje kemi fituar 2 herë dhe jemi mundur në 3 takime të tjera. Gjithsesi kuqezinjtë kanë ditur të tregojnë gjithmonë se edhe ditët e tyre më të vështira kanë ditur të ngrihen dhe kundër Islandës është momenti për t’u ringritur, për të besuar dhe shpresuar, se ai kualfikim në Euro 2016 mund të përsëritet sërish.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat