Zeneli po i kryen testet mjekësore, sot mësohet nëse do të luajë kundër Bullgarisë

Futboll

Zeneli po i kryen testet mjekësore, sot mësohet nëse do të luajë kundër Bullgarisë

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 12:09
Foto ilustrim

Pas lëndimit që e pësoi gjatë ndeshjes së mbrëmshme në Podgoricë kundër Malit të Zi, anësori i Kosovës, Arbër Zeneli, është duke i kryer sot testet mjekësore në Prishtinë për ta kuptuar se sa serioz është lëndimi i tij.

Kosovës i mungoi për pjesën më të madhe të ndeshjes të së premtes kundër Malit të Zi golashënuesi më i mirë i skuadrës, Arbër Zeneli, pasi që ai pësoi lëndim në minutën e 38-të të ndeshjes dhe u zëvendësua nga Edon Zhegrova.

Zeneli u kthye menjëherë mbrëmë në Prishtinë, ndërsa tani është duke i kryer testet mjekësore për ta zbuluar seriozitetin e lëndimit të tij dhe për ta kuptuar nëse do të ketë mundësi të luajë në ndeshjen kundër Bullgarisë apo jo.

“Arbri është në Prishtinë, është duke i bërë ekzaminimet akoma”, ka thënë menaxheri i skuadrës së Kosovës, Bajram Shala, për Gazetën Express.

Kosovës i mungonin edhe disa lojtarë të tjerë të rëndësishëm në ndeshjen kundër Malit të Zi. Tre kapitenët – Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Valon Berisha – e patën të pamundur t’i bashkohen Kosovës për ndeshjet e qershorit për shkak të lëndimeve.

I fundit në këtë listë është shtuar Zeneli, mirëpo trajneri Bernard Challandes do të jetë duke shpresuar që testet që kosovari po i kryen në Prishtinë të kenë rezultat pozitiv për ndeshjen e së hënës kundër Bullgarisë.

Kosova aktualisht radhitet e treta në Grupin A të kualifikimeve për EURO 2020. Dy pozitat e para e sigurojnë një vend në Evropian, mirëpo Kosova mund ta arrijë këtë qëllim edhe përmes një rruge tjetër, përmes play-offs kualifikues, ku e siguroi një vend me triumfin në Grupin 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.

Të hënën, “Dardanët” do të përballen me Bullgarinë në Sofje. Nëse Kosova e fiton këtë ndeshje dhe Republika Çeke humb ndaj Malit të Zi, skuadra e Challandes do të ngrihet në pozitën e dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat