Selektori i Kombëtares i jep leksione Serbisë: Puna ime është futbolli, jo politika

Futboll

Selektori i Kombëtares i jep leksione Serbisë: Puna ime është futbolli, jo politika

Më: 8 qershor 2019 Në ora: 15:46
Selektori i Kombëtares i jep leksione Serbisë: Puna ime është futbolli, jo politika

Trajneri i kombëtares së Malit të Zi dhe dy lojtarë me origjinë serbe nuk janë paraqitur në ndeshjen e të premtes ndaj Kosovës që u zhvillua në Podgoricë, si pasojë presionit të madh politik nga Serbia.

Trajneri serb, Ljubisa Tumbakovic, është shkarkuar menjëherë sot nga Federata e Futbollit të Malit të Zi, ndërkohë ndaj dy lojtarëve nuk është marrë ndonjë masë.

E për gjithë këto zhvillime ka folur sot edhe trajneri kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, duke thënë se mbrëmë ka fituar futbolli dhe se politika nuk është profesioni i tij.

“Deri pak para fillimit të ndeshjes nuk dija asgjë. Nuk kemi asgjë për të thënë, unë mund të flas për futbollin, politika nuk është puna ime”, ka thënë Challandes.

Trajneri i Kosovës ka thënë se të premten në Mal të Zi kishte fituar futbolli, edhe pse ndaj Kosovës nuk kishin pranuar të paraqiten trajneri me origjinë serbe Ljubisa Tumbakovic, dhe lojtarët Filip Stojkovic dhe Mirko Ivanic.

Ndër të tjera ai ka thënë se nuk është i kënaqur me rezultatin, pasi sipas tij Kosova kishte pasur shumë shanse për t’i shfrytëzuar.

“Unë nuk mund të jem i kënaqur me rezultatin, sepse kishim më shumë posedim të topit, shanca dhe veçanërisht në pjesën e dytë. Me rezultatin 1:0, ne kishim dy shanse të mira, përmes Muriqit, i cili nëse do të jepte edhe një gol, do të kishte mbyllur ndeshjen”, është shprehur tekniku zviceran.

Përveç kësaj, Challandes e ka përgëzuar Malin e Zi për ‘Fair Play’.

“Përgëzime për Malin e Zi, ishte një ‘fair play’, sepse për këtë aspekt të lojës kishte shumë diskutime. Ajo që është e rëndësishme për mua, futbolli ka fituar. Përgëzime për dy skuadrat”, ka thënë ndër të tjera përzgjedhësi 76 vjeçar i Kosovës.

Ndeshja është mbyllur me barazim 1:1, ndërsa Kosova pas dy ndeshjeve ka grumbulluar vetëm dy pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat